Edvini si xha Llambi: Voi bou mini!
Njëherë e një kohë, u ndodha në Fier, me rastin e një dasme të një kushëririt tim. Para se të kthehesha në Tiranë, po pija një kafe në Hotel, bashkë me kushëririn tim, Jakovin, dhe me një fierak që s’e njihja. Ra muhabeti për diçka që s’e mbaj mend; por më kujtohet ajo kundërvënia e Kovit ndaj të panjohurit: - Ore mos u bëj edhe ti si xha Llambi: Voi bou mini. Ai tjetri e kuptoi menjëherë domethënien dhe sikur u bë më i arsyeshëm. Kur iku, i them Kovit: - Ç’domethënë ajo shprehja, që më duket si vllahçe?
-Në Pojan, Apolloninë e lashtësisë, ka mjaft vllehë. Xha Llambi ishte njëri ndër ata. Për fajin e dikujt, xha Llambit i kishte ngordhur kau. Në gjyq i dhanë të drejtë dhe e vlerësuan dëmin në një shumë lekësh që i përkiste ekspertizës së vlerësimit. Por eja e mbushi mendjen xha Llambit! Jo! Nuk i dua lekët. Dua kaun, unë! (Në çobançe, se s’e fliste dhqipen!). - O xha Llambi,- i thoshte kryetari i gjyqit. – Kaun s’e ngjallim dot. Merr ato paret dhe ble një tjetër, - Jo, Voi bou mini! Ky dialog u përsërit nja tri herë. Dhe përfundoi me fjalën e fundit të kryetarit: -Seanca mbyllet!
Xha Llambi i mori paret dhe e zëvendësoi kaun e ngordhur. Por ja që kishte rënë në dashuri me atë të mëparshmin, të cilit iu shua flaka e kandilit të jetës.
Edvini, si xha Llambi, përsërit të njëjtin refren: “Zgjedhjet i fitova UNË”! Po të njëjtat fjalë përsërit edhe tani, nga vendet ekzotike ku ka vajtur të shpijë trutë, qoftë edhe kur kthehet në Tiranë. Paçka se zgjedhjet i ka humbur dhe OSBE-ODHIR-i i ka quajtur ato si më të mirat e zhvilluara gjer tani. Lakuriqi i gushtit do të kërkonte, mbase, që të zhvilloheshin si njëherë e dikur vahtit, kur KQZ-ja ishte në raportin 6:1 dhe bënte rrumpallë, në kohën kur mjaft kuti votimi depozitoheshin në komitetet e PS-së (!), për “t’u ruajtur” (!). Nuk është nevoja të zgjatemi në ato zgjedhje kur hante qeni petulla, në këndvështrimin e komisionerëve kapadainj të njërës palë dhe me lista zgjedhore selektive (“listat e Finos”). Dallimet ndërmjet zgjedhjeve sipas datave përkatëse i ka bërë, njërën pas tjetrës dhe me arsyetime logjike e juridike, deputeti Oerd Bylykbashi. Dhe s’ka përse të zgjatemi.
Ç’kohë zgjedhjesh që ta shpifnin ka hequr ky popull i shkretë, qysh nga ato të 1997-s, që u përgojuan si “zgjedhje domenesh”! Ç’të kujtojmë më parë! Edhe pas parlamentit më injorant që ka parë historia e këtij kombi, me shpërblyes kontributesh të tregishtorëve dhe, madje, édhe me Drakulën brenda parlamentit, që të kujtonin jo vetëm nostalgjinë e diferencimit klasor të kohës së Enverit, me njerëz që të merrnin gjak në vetull, por edhe me vampiret deputete që e ndoqën besnikërisht këtë përvojë zgjedhjesh, jo më shumë se shtatë vjet pas rënies së sistemit enverist, por me mendësinë e tij që nuk shkulej dot nga instinktet kriminale të injektuara në atë kohë. Edvini nuk kërkon më të kujtohen as zgjedhjet e tetëvjeçarit 1997-2005, as vetë ky tetëvjeçar të cilin ai vetë e mallkoi me fjalët më neveritëse. Por, sidomos, dëshiron të mbetet tabù koha e palavdishme e “qeverisjes” së tij të këngëtarëve, të kërcimtarëve, të piktorëve e skulptorëve, kur ishte në krye të dikasterit të kulturës, rinisë e sporteve. Një kohë nul, për kah aktiviteti! Le të dalë njëri ndër papagajtë e tij propagandues (të cilët po i pakësohen) e le ta mburrë e t’i vërë dafina përsipër asaj periudhe të një asfiksie tërësore të veprimtarive të art-kulturës. Atë kohë, njeriu i UN-it nuk i kishte aspak me sevda grevat dhe protestat. Dhe dihet sesi i brutalizoi me një egërsi të paparë artistët dhe personat e kulturës që u ngujuan në grevë të përgjithshme! Grevistët nuk zaptuan as bulevardet dhe nuk mësynë asnjërën ndër organet institucionale, siç bëri Edvini më vonë, me militantët ekstremë të tij të majtizmit, të stërvitur posaçërisht fizikisht e mendërisht për të marrë pushtetin me dhunë! Ata artistë e intelektualë, që u nxorën me dajak nga ngujimi, nuk kishin kërkuar as pushtet të dhunshëm. e as kishin bërë kërcënime që të merrnin pushtetin në dorë brenda dyditësh! Madje as kishin bërë një provokim djallëzor si ai i 21 janarit të këtij viti, për të cilin miku i Shqipërisë, ambasadori Aleksandër Arvizu i SHBA-ve, ka thënë tekstualisht: “Qëndrimi i policisë më 21 janar ishte një qëndrim i drejtë dhe profesional, edhe pse policia u provokua nga demonstruesit” (Për referencë: cituar nga Albania, 19 gusht, 2011). Kjo “u provokua nga demonstruesit” ka kuptimin e qartë: “U provokua nga Edvin Rama”. Përndryshe duhej të mbërrinim në arsyetimin absurd se nuk është Edvini ai që bën kohën e mirë apo të keqe në PS, por na qenka sjellë si liberal (!) me LMN-në, pavarësisht se janë thyer kamera gazetarësh në atë kube obskurantizmi që na është përmendur gjer në shpim të timpanit të veshëve, si kulmi i transparencës! Ata që e përmendën me hile 21 janarin gjytë fushatës së 8 majit, le t’i përgjigjen sinqerisht kësaj pyetjeje: A bëhet dot një demonstratë e rrezikshme dhe a paralajmërohet dot “dalja jashtë kontrollit” nga një person tjetër, përpos Edvin Ramës? Pikërisht më datën 20, domethënë një ditë para, u bë ky paralajmërim i kobshëm. Kjo do të ishte një pyetje tabù. Nëse ndonjë gazetare do të kishte pasur guximin që t’ia bënte Edit, sy më sy, ai do t’i përgjigjej: “të fala Sandrit”. Lexo, “s’dua të përgjigjem!”. Kurrë mos u përgjigj, por ç’punë ka një i tretë në këtë mes? Kastriot Islami ia ka thënë në mënyrë të përkorë, të qetë dhe pa pasion: “Do t’i humbësh zgjedhjet”. E ka paralajmëruar, për më tepër, për këtë. Tani po ia thotë edhe një ish-kryeministër i PS-së, Ylli Bufi. Më parë ia ka pas thënë i gjithë grupimi elitar i Mendimit Ndryshe. Tani edhe E. Braçja po vuan nga asfiksia: i mungon ajri! “Dua të ndjehem i lirë” – thotë. Ai përgjigjet, duke nxjerrë gjuhën: “UNË i kam fituar zgjedhjet”. Si xha Llambi i Pojanit!