Kur ka vështirësi, fiton gjithmonë Berluskoni
Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Silvio Berlusconi është shprehur qartë se manovra ekonomike mund të përmirësohet . Në të njëjtën kohë ka ftuar forcat e opozitës italiane që të bashkëpunojnë për ndonjë modifikim të mundshëm të manovrës. Pas frazave luftarake të së majtës duket se kjo e fundit ka përgatitur një kundërmanovër e cila do të parashtrohet të martën. Pasi këmbëngulin se kjo kundërmanovër do të nxisë ekonominë italiane duke garantuar gjithashtu edhe një barazi në shpërndarjen e sakrificave, e majta italiane flet edhe për një pasiguri të rrezikshme që mund të përhapet së shpejti në shtetin fqinj të Italisë. A rrezikon Berlusconi dhe qeveria e tij? Edhe një javë më parë, kur Berlusconi fliste për një krizë planetare e majta italiane kërkoi të izolonte problemin italian nga kriza planetare për të goditur Presidentin e Këshillit të Ministrave të Italisë. Si për të vërtetuar këtë, disa ekonomistë italianë në ditët e fundit theksojnë se Italia gjendet vërtet përpara një krize ekonomike planetare. Madje propozojnë edhe zgjidhje të ndryshme që nuk i përkasin vetëm Italisë por të gjithë planetit. Ka zëra që kërkojnë krijimin e një G-5, të bankave qëndrore të ekonomive më të zhvilluara të planetit (asaj amerikane, të Bashkimit Europian, të Bankës angleze, të Japonisë dhe të Kinës) krijimi i të cilës mund të sillte një stabilitet për financat globale. Nuk dihet nëse kjo do të ishte e mjaftueshme sepse kriza aktuale ka vënë në dukje edhe fenomene shpeshherë të çuditshme. Për herë të parë duket se janë firmat e mëdha që po financojnë bankat dhe jo anasjelltas. Ndoshta sepse kriza financiare po godet më së shumti institutet bankare dhe kjo po haset si në Itali po aq edhe në vendet e Bashkimit Europian. A rrezikon me të vërtetë Italia? –“Të dhënat tregojnë se Italia ka filluar përsëri të ecë, edhe pse ka akoma shumë hendeqe territoriale” –kështu është shprehur presidenti i Bashkimit të Zyrave të Tregtisë, Ferruço Dardanello, duke shtuar se: - duhet të thjeshtohet jeta e firmave të ndryshme në mënyrë që e i gjithë sistemi i vendit të ecë plotësisht në rrugën e tij drejt rritjes”. Nga ana tjetër, Emma Marçegaljia, presidentja e industrialistëve italianë, jep përsëri doza optimizmi për ekonominë italiane: “ (…) kemi bërë shumë gabime, por në të njëjtën kohë jemi edhe një vend i madh. Ne jemi të gatshëm për të përveshur mëngët, duam ta bëjmë dhe kemi për ta bërë”. - Sepse për ne janë shumë të rëndësishëm të rinjtë, punësimi dhe rritja ekonomike e Italisë. Italia ka reagur gjithmonë por duhet të përpiqet akoma dhe më shumë sepse ndodhet edhe në një krizë globale – vazhdon Emma Marçegaljia, duke i bërë edhe një apel maxhorancës dhe opozitës: “Duhet të shfrytëzohet kanali parlamentar për të ndërmarrë një zhvillim të përbashkët”. Fjalët e Emma Marçegaljia-s ndoshta i drejtohen edhe liderit të Lidhjes së Veriut, Umberto Bossi-t, i cili kundërshton se rritja ekonomike e Italisë mund të kalojë nëpërmjet reformës së pensioneve. Në fakt, Umberto Bossi nuk lejon në asnjë mënyrë që reforma të prekë pensionet sepse sipas tij të presësh pensionet është njësoj sikur të presësh njerëzit e Veriut. Të njëjtën gjë, mendon për pensionet edhe ministri Roberto Kalderoli: “pensionet janë mirë kështu”. Ndoshta të gjitha këto kundërshti të bëjnë të mendosh se vetë Berlusconi është në vështirësi. Mes të majtës “luftarake” dhe një maxhorance që sipas opozitës është në krizë ndoshta vërtet rriten edhe vështirësitë e Presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë. Por kur trysnia rritet, fiton gjithmonë Berlusconi.