Edvini vendos për Linjën e Bojkotit, urdhëron braktisjen e KQZ

Pritet shpallja e vullnetit politik të PS për t’u tërhequr nga KQZ dhe nga të gjitha KZAZ-të, sapo të nisë asgjësimi i fletëve të votimit. Edi Rama po thellon gjuhën e destabilizimit të vendit, me shpresën se vetëm kështu do të mund të arrijë ndonjë kompromis politik që do ta lërë atë në politikë. 3 anëtarët e KQZ pritet ta shpallin vendimin që sot, ndërkohë që pas mbledhjes së Asamblesë, i njëjti vendim do zyrtarizohet edhe për 380 KZAZ-të në të gjithë vendin
Partia Socialiste po shkon gjithnjë e më shumë drejt bojkotit të institucioneve. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për djegien e fletëve të votimit, edhe pse është një procedurë normale e këtij institucioni, fakti që zgjedhjet e fundit u trumbetuan me dyshime për parregullsi dhe legjitimitet të cunguar, pavarësisht se asnjëherë s’u faktuan, lanë gjurmën e tyre, ndonëse kjo njollë vazhdon të mbetet një prapavijë e pa shuar e socialistëve. Apelit të ndërkombëtarëve për bashkëpunim politik mes mazhorancës dhe opozitës, kjo e fundit po i përgjigjet me një indiferencë të pashpjegueshme, madje dhe për më tepër, po lëshon kërcënime shantazhuese me bojkot të KQZ-së dhe KZAZ-ve, në mënyrë që të mbahen peng zgjedhjet e ardhshme vendore. Alibia e djegies së fletëve të votimit dhe deklarata nënqeshëse e përfaqësueses së PS-së në KQZ, Dëshira Subashi se pa firmën e saj nuk digjen fletët e votimit, është e gjithë gama e dëshpërimit të kauzës së humbur të socialistëve, të asaj kauze që u dogj qëllimisht nga lideri socialist Rama, i cili e dinte fare mirë se për dyshimet e manipulimit të zgjedhjeve nuk ekzistonte qoftë edhe një fakt i vetëm. Megjithatë, djegia e fletëve të votimit, konsiderohet nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve si një procedurë krejt normale, edhe pse këtë herë ka kaluar kufijtë e tolerimit. Sidoqoftë, socialistët ende s’kanë harruar se politika e shantazheve s’i çon asgjëkundi, veç izolimit të tyre. Nderi më i madh që mund t’i bëhej socialistëve të thjeshtë, do të ishte fundosja e apogjeut të nekropolitikës së Edvinit veglës së qarqeve të dyshimta moskovite, prirjet e të cilit, apatride, po mbajnë peng dhe integrimin e vendit në BE.
...