E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama ka pasur platformë anti-integrim

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka sulmuar sërish kreun e PS-së Edi Rama se është kundër integrimit të Shqipërisë.

Në analizën 1-vjetore e punës së Kuvendit gjatë 2010-ës, Topalli duke e cilësuar atë si histori suksesi nuk la pa sulmuar edhe opozitën.

Sipas saj gjatë këtij viti opozita ka pasur si platformë të saj atë kundër integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Rama s`ka dashur transparencë por ka dashur alibi. I bëj thirrje opozitës të përqëndrohen tek ligjet e rëndësishme për vendin. Edi Rama ka dy vjet që ka pasur platformë anti-integrim” theksoi Topalli.

Gjithashtu Topalli  ka kritikuar opozitën, se ka munguar për një vit e gjysmë në Parlament dhe për pasojë nuk ka dhënë konsensusin e saj për reformat e kërkuara nga BE.

“Ne nuk e ndryshojmë dot lidershipin e PS, që t`i bindim dhe të votojnë. Por e kam për detyrë që t`i ftoj në Kuvend”, ka shtuar Topalli, e cila ka rikonfirmuar se mazhoranca nuk do ta ndryshojë kurrë axhendën e saj, me apo pa bojkotin e opozitës.

Gjithashtu kryetarja e Kuvendit e ka bërë përgjegjëse opozitën për refuzimin e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë duke bërë edhe bilancin e punës së Kuvendit gjatë vitit 2010, Topalli i ka cilësuar si suksese  miratimin e buxhetit për vitin 2011, që sipas qeverisë ka qenë më i madhi në histori dhe ligjin për emëtimin e eurobondit.


“Janë zhvilluar 484 mbledhje në Parlament, deputetët kanë propozuar 736 amendamente dhe janë zhvilluar 124 seanca dëgjimore. U miratua buxheti më i madh dhe ligje të rëndësishme, si ai për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar”, ka deklaruar Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›