Vendimi, transparent, anëtarët socialistë politizuan çështjen

KQZ nis sot procedurën e djegies së fletëve të votimit
Në orën tetë të mëngjesit nis në Lundër, në vendin ku ruhen aktualisht kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit, procesi i djegies dhe i seleksionimit të materialeve zgjedhore. Kryetari i KQZ Arben Ristani thotë se kjo është procedure rutinë, që bëhet pas çdo procesi zgjedhjesh, por këtë herë mori vëmendjen e madhe të opinionit publik për shkak të situatës politike.
“Grupet e punës që janë ngritur tashmë do të fillojnë me hapjen e kutive, seleksionimin e materialeve të cilat do të shkojnë në arkivin e shtetit. Ato futen nëpër dosje, bëhen gati. Do të ketë edhe specialistë nga arkivi të cilët do udhëzojnë se si do ta pranojnë materialin në arkivin e shtetit dhe pjesa tjetër do të shkojë për t’u asgjësuar” tha Ristani. Por nënkryetarja e institucionit më lartë zgjedhor, Dëshira Subashi thotë se procesi nuk është transparent. Vendimmarrja e KQZ për këtë proces këtë herë ia ka lënë vendin një urdhri që duhet të nxjerrë kryetari, duke ndryshuar sipas saj praktikën e deritanishme të këtij operacioni.
Përpos kësaj, nënkryetarja Subashi thotë se shkelje e ligjit, që e bën vendimin të pavlefshëm është edhe fakti që sipas nenit 20 të kodit zgjedhor, citon ajo, çdo vendim i kryetarit duhet të firmoset nga nënkryetari, në te kundërt vendimi është i pavlefshëm, thotë Subashi që vë theksin edhe në një tjetër çështje që sipas saj lë të pasqaruar vendimi i datës 29 të KQZ.
“Vendimmarrja e KQZ nuk e ka zgjidhur se çfarë regjimi do të ketë ruajtja e listës së votuesve. Këto dy momente të japin të kuptosh faktin që jo pa qëllim është shmangur baza ligjore për ta përdorur këtë udhëzim të KQZ”, tha Subashi.
Por pavarësisht, kryetari i KQZ thotë ky institucion duhet të përgatitet për zgjedhjet e majit, ndaj procesi i asgjësimit të fletëve është më se i domosdoshëm në këtë moment. “Është një proces rutinë i KQZ, por që për fat të keq pati jehonë të madhe politike. Jemi në momente që ne jemi të përqendruar në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe duhet të zgjidhim problemet tona teknike”, tha Ristani.
“Kjo është ironia më e keqe e thënë në sytë e publikut sepse në të gjitha operacionet e zgjedhjeve të mëparshme KQZ me vendimmarrjet e saj ka kërkuar vetëm një muaj kohë për ta bërë këtë operacion pune. Ndërsa vendimmarrja e KQZ thuhet për shkak se duam ta përfundojmë shpejt këtë proces po lejmë dy muaj kohë, kur ky operacion është bërë krejt në kushte normale për një muaj kohë. Është një qëllim tjetër që fshihet pas saj. Dhe argumenti që sapo thashë të çon në këtë logjikë”, tha Subashi.
Procesi i djegies së fletëve të votimit dhe dërgimit të materialeve zgjedhore në arkivën qendrore, ishte procedura që për më se një vit e gjysmë mban politikën në krizë, një krizë që me procesin që nis nesër zgjidhja mbetet edhe më larg.
Ja si KQZ do të djegë fletët e votimit
50 punonjës të Administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jenë përgjegjës për pastrimin e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara, proces që me vendimin e 29 dhjetorit të 2010 të KQZ do të nisë sot për të përfunduar në datën 5 mars.
Procesi që do të fillojë në orët e para të paradites së sotme në magazinat e KQZ në Farkë, parashikon seleksionimin e materialeve zgjedhore, arkivimin e dokumentacionit zgjedhor në Arkivin Qendror të Shtetit ose në zyrat e KQZ në rastet kur ligji e parashikon një procedurë të tillë dhe më pas me asgjësimin e fletëve të votimit.
Vendimi i KQZ për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të qershorit 2009 u kundërshtua nga 2 anëtare të këtij institucioni të cilët bojkotuan mbledhjen pak para se të hidhej për votim kjo çështje.
Një ditë më parë kreu i përfaqësisë së OSBE në Tiranë e cilësoi vendimin e KQZ si transparent ndërsa shprehu rezerva mbi bojkotimin e votimit nga dy anëtare të këtij institucioni.