Efektet e kërkuara të një koalicioni
Zhvillimet politike në Shqipëri pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit dëshmuan dy prirje të rëndësishme. Nga ana e publikut u shfaq qartë nervozizmi se asnjë parti nuk e meriton besimin e plotë dhe se torta e pushtetit duhet ndarë në një mënyrë, që garanton të drejtën e kontrollit të ndërsjellë mes palëve. Së brendshmi, politika e lexoi këtë mesazh në mënyrën e saj. Dhe për fat të mirë, pa nervozizëm. Megjithatë, zgjidhja e adoptuar ofron disa premisa pozitive në tërësi. Së pari, afrimi i LSI-së në koalicionin qeverisë do ta kthejë këtë lëvizje në parti. Kjo do të thotë se falë aksesit në pushtet LSI do të ketë shanse reale të rrisë dimensionet, të ndërtojë grupe të reja interesi – të ndryshme nga ato që nxitën krijimin e saj, të afrojë emra të rinj që do ta pasurojnë ofertën e saj politike përtej një grupi politik (një pjesë e të cilit u ble me çmim tregu për arsye qartësisht elektorale) etj.
Gjithashtu, prania e Ilir Metës në qeveri do të zbusë opozitën me të cilën pritet të përballej një shumicë e djathtë, sido që të strukturohej një koalicion i mundshëm. Kjo qasje e bën qeverisjen më të qëndrueshme, nëse respektohen një set parimesh qeverisjeje, mbi të cilat me siguri liderët respektivë kanë rënë dakord me themelimin e këtij koalicioni.
Megjithatë premisa më e rëndësishme e prodhuar (ndoshta edhe pa dashje) është shmangia e rolit vendim-marrës që kishte fituar në politikën shqiptare, një parti e cila komandohet me telefon nga Athina se cilin duhet të ketë kryetar dhe cili do të bëjë sfidantin e kryetarit, për ta mbajtur në pozita besnike. Largimi i PBDNJ-së nga pozitat përcaktuese të lidershipit politik qeverisë të Shqipërisë është ngjarja më e rëndësishme që ka prodhuar ky koalicion.
Në të njëjtën kohë, e reja e këtyre zgjedhjeve ishte orientimi i së djathtës në tërësi drejt ri-pozicionimit të kapitalit shqiptar në të ardhmen ekonomike të vendit. Adoptimi i këtij vendimi politik nga dy segmente politike – qoftë edhe të ndryshme ideologjikisht, tregon pjekurinë e skenës politike për të mundësuar një ristrukturim tërësor të ekonomisë shqiptare në përputhje me vizionin e ri zhvillimor të vendit. Këtë prirje është ne kohë që ta shtyjë përpara edhe grupimi brenda-politik i socialistëve që drejtohet nga Blushi dhe Malaj, të cilët janë në kohë për të definuar arsyet e legjitimimit të nevojshëm brenda partiak në PS-në e dërrmuar nga humbja.
Është e domosdoshme që në pozitat e reja pas krizës botërore ekonomike, mjedisi shqiptar të marrë një sërë masash që do të mundësojnë një diversifikim real të strukturës ekonomike të vendit, në përputhje me ciklin e ri zhvillimor që është ravijëzuar në krejt Ballkanin perëndimor. Kështu, nëse në mandatin e parë të saj qeveria Berisha investoi në infrastrukturat dhe pritet të fuqizojë ndjeshëm aksesin në zona që më parë ndjeheshin ekonomikisht të braktisura, qeveria Berisha–Meta duhet të orientojë ciklin e investimeve drejt këtyre rajoneve – tashme të arritshëm - ku ndodhen burimet e lëndëve të para. Kjo do ta bëjë të rikthyeshëm investimin publik të kryer për rrugët, linjat e energjisë, etj, ndërsa do të ri-balancojë zhvillimin rajonal duke mbështetur punësimin dhe duke efektivizuar edhe proceset paralele të përmirësimit të qeverisjes, ku primare mbetet forcimi i cilësisë së qeverisjes vendore.
Ri-integrimi në të ardhmen e vendit i kapitalit shqiptar prodhon njëkohshëm edhe shanse më të besueshme për përthithjen më të mirë të investimeve të huaja direkte, duke prodhuar arsye reale të biznesit ndërkombëtar në Shqipëri.
E fundit vetëm për nga radha, ky koalicion bëhet jetik në kushtet kur Shqipëria është me vonesë në përmbushjen e kushteve të vëna nga BE për përfshirjen e saj në Listën e Bardhë “Shengen” për lëvizjen e lirë. Një legjitimitet politik më i gjerë do të zbusë efektet negative publike që pritet të shkaktojnë një sërë masash, nga shfuqizimi i pasaportave aktuale për të detyruar popullatën të marrë pasaportat biometrike deri tek masat e tjera që lidhen me reformat e domosdoshme në disa fusha. Opozita bëhet në këtë rast vendimtare për të ruajtur shpejtësinë e lëvizjes drejt Bashkimit Evropian.