PS, nga kongresi në kongres
Pak ditë para zgjedhjeve, Kryeministri grek, Karamanlis, dhe kreu i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, erdhën në Tiranë duke përcjellë secili mbështetjen për partitë “aleate”. Papandreu renditej edhe si e vetmja ofertë mbështetjeje për Edi Ramën dhe sot ai është fitues i zgjedhjeve në vendin fqinj. Ai u bë Kryeministër, në darkën e vonë të së dielës, sapo ish-kryeministri, kreu i neokonservatorëve, Kosta Karamanlis, i uroi fitoren rivalit, pastaj deklaroi dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, sepse kishte humbur në zgjedhjet parlamentare.
Menjëherë pas fitores, Papandreu u ka bërë thirrje grekëve për të bashkëpunuar për të nxjerrë vendin nga kriza, duke ftuar të gjitha forcat progresiste që të udhëtojnë në një rrugë të vështirë për të dalë nga kriza. Dy liderë të partive më të mëdha në vend, pas një gare elektorale, kanë lexuar vullnetin e votuesve në kuti dhe kanë mbajtur qëndrimet e duhura, duke mos u bërë ata bartës të një zvarritjeje bashkëpunimi në këtë periudhë të vështirë mbarëbotërore. Ky ishte një akt demokracie ngjitur me Shqipërinë që bie shembullin e mënyrën e sjelljes pas përfundimit të një ngjarjeje politike, siç janë zgjedhjet.
Edi Rama dhe partia e tij, pas urimit që duhet t’u bëjnë partnerëve të tyre politikë të së majtës, duhet të mendojnë më kthjellët që bojkoti nuk është kostumi që ata duhet të mbajnë në këtë stinë parlamentare. Opozita nën drejtimin agresiv të kryebashkiakut po merret seriozisht me përgatitjen e protestave që ka lajmëruar se do t’i fillojë me 10 tetor, pak ditë para ditëlindjes së Enver Hoxhës. Sugjerimet e ndërkombëtarëve nuk janë dëgjuar mirë, ose saktësisht duhet deklaruar nuk janë dëgjuar fare nga socialistët, që nuk kanë ndërmend të hyjnë në Parlament duke njoftuar se shpresojnë në shpërndarjen e kësaj legjislature. Politikisht Rama po ngutet të demonstrojë forcën brenda partisë, më tepër sesa atë jashtë saj, që në fakt e ka zbehur me doza të dukshme. Opozitarët pa përkrahje të qeverive të Perëndimit, të Brukselit, SHBA-së po përpëliten të mbajnë në këmbë argumentin e hapjes së kutive, duke iu përgjigjur negativisht ftesës së përsëritur të Kryeministrit dhe mazhorancës për bashkëpunim në Parlament. Berisha edhe dje ka ftuar PS-në të zërë vendet në legjislativ dhe mazhoranca do të pranojë propozimet e saj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por edhe për pretendime të tjera. Ky lëshim i duhur që bën e djathta, duhet të marrë vend në kampin socialist. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ftuar opozitën që të jetë e pranishme në Parlament për të qenë pjesë e reformave, sidomos të asaj për drejtësinë, por edhe detyrimeve të tjera që çojnë në liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ndërkohë, në udhën e nisur mazhoranca është tolerante dhe bashkëpunuese, duke premtuar që të marrë parasysh kushtet e opozitës, që ajo të braktisë bojkotin dhe deputetët t’i kthehen arsyes përse janë votuar.
Një mesazh që kërkon shmangien e krizave politike në Shqipëri, bërjen bashkë të detyrimeve të vendit tonë anëtar në NATO e aspirant në BE, është dhe mesazhi i Presidentit amerikan Barack Obama dërguar Kryeministrit Sali Berisha, duke konfirmuar në brendi të këtij mesazhi edhe një ftesë të heshtur për opozitën që të ndalë mospjesëmarrjen ndaj Parlamentit. Kryepartnerët e Shqipërisë, SHBA, kanë folur aq qartë e kthjellët sa zëre se mesazhi i ishte drejtuar selisë rozë për ndryshim kursi, por në një tekst shumë diplomatik. Ndër të tjera, Presidenti amerikan në përshëndetjen e dorëzuar nga ambasadori Withers, thotë: “Për mua ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës në samitin e Strasburg-Kehlit, në fillim të këtij viti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat euroatlantike të vendit tuaj”. Njëherësh, Sekretarja Hillaryi Clinton në urimin dërguar ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, premton mbështetje të vazhdueshme për integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
Sado kuti të 28 qershorit që të hapen, ndonëse nuk ka shumë shpresë në to, socialistët Rama tani i ka vënë para presionit të dytë, atij të kongresit të jashtëzakonshëm që është njoftuar për t’u mbajtur në dhjetor. Në këtë kongres Rama vjen me fortësinë e kryetarit absolut dhe “Mendimi Ndryshe” është shënjestra që do të fillojë të shuhet, sepse spastrimi me shumë gjasa do të zërë edhe rrethet. Kryesia, forumet drejtuese tani janë strukturat zgjedhore që në bazë të arkivit e kujtesës së deritanishme, marrin notë sipas sjelljes paszgjedhore, sipas qëndrimit pro ose kundër Ramës, duke bërë që kreu i Bashkisë së Tiranës të marrë të gjitha masat nga një pretendim i mundshëm që kundërshtarë të tij t’i marrin vota në zgjedhjet lokale, t’i rrezikojnë garimin e qetë për në bashki e për më tepër në ato parlamentare të ardhshme.
Në kongresin e vazhdimësisë nuk ka më surpriza, aty kryetari do të rrëzojë të gjitha paketat, cigaret e të cilave nuk i pi vetë dhe do të jetë i sigurt që Partinë Socialiste e ka të gjithën nën kontroll për të hedhur në të të gjitha protestat që i shkojnë nëpër mend. Tani Rama është faktori opozitar që duhet lexuar dhe marrë në konsideratë edhe kur vepron jopolitikisht edhe kur sillet ndryshe, sepse ka 64 mandate që nga kongresi në kongres nuk votojnë dot ndryshe nga sa thotë kryetari Edi Rama, sepse vlerësohen me përjashtim nga partia.