E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD; Bandat kriminale nuk mund të ndikojnë në punën e gjykatës



Numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nisi dje me kritika të ashpra ndaj gjyqtarëve takimin me kryetarët e gjykatave në vend me objekt riorganizimin e gjyqësorit. Ai i akuzoi ata se po bëhen pengesë për procese penale të rëndësishme, duke shtuar se “bandat kriminale nuk duhet të ndikojnë në zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe për këtë përgjegjës janë vetë gjyqtarët”. Sipas tij, shpeshherë janë gjyqtarët ata që nuk kanë kurajë profesionale për t’u dhënë fund proceseve ndaj bandave kriminale. Edhe pse ka pranuar se ka kërcënime ndaj gjyqtarëve, Spahiu ka kërkuar t’i jepet fund zvarritjeve në procese. “Këtu fajtorët janë dy, ose gjyqtari ose ligji. Shpesh gjyqtarët nuk kanë kurajën, iniciativën, vullnetin, dëshirën për të përfunduar një çështje. Bandat kriminale, të cilat akuzohen për shumë vrasje apo vepra penale me rrezikshmëri të lartë, nuk mund të diktojnë punën e gjykatës”, - u shpreh Spahiu. Sipas tij, por nisur edhe nga mendimet e hedhura nga vetë kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarë të ndryshëm, shihet si mundësi të propozohen disa ndryshime në Kodin Penal për t’u dhënë fund këtyre zvarritjeve. Një tjetër pikë e mbledhjes së djeshme të kryegjykatësve në gjithë vendin ka qenë edhe riorganizimi i gjyqësorit. Spahiu paralajmëroi një lëvizje masive të gjykatësve nga njëri qytet në tjetrin. Sipas tij, ka gjykatës që kanë vite të tëra në qytete të vogla, ku familjarizimi me komunitetin është i pashmangshëm dhe për pasojë edhe njëanshmëria e profesionit bëhet më e vështirë. Kjo iniciativë, sipas Spahiut, është pjesë e një pakete reformuese që Këshilli i Lartë i Drejtësisë tashmë ka ndërmarrë në rritjen e performancës së punës së tij, me qëllim që vendimet e Këshillit që prekin interesat e gjyqësorit, të paraprihen nga opinioni i vetë gjyqtarëve. Një vendim i marrë dje në takimin me kryetarët e gjykatave në vend ka qenë ai i transferimit të gjyqtarëve nga njëra gjykatë në tjetrën edhe pa pëlqimin e tyre. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të unifikojë politikën e lëvizjeve që krijon në sistemin gjyqësor nga ky riorganizim, duke përcaktuar metodën konkrete të lëvizjeve, sipas të cilës, transferimi i gjyqtarëve në gjykata të të njëjtit nivel do të bëhet pa pëlqimin e tyre. Kjo përjashton procedurat e kandidimit të gjyqtarëve nëpër vendet e shpallura si vakante dhe ka qëllim të evitojë preferencat e gjyqtarëve në disa gjykata kryesore të vendit, si Tiranë dhe Durrës, në raport me disa të tjera si ajo e Përmetit, në të cilën gjithashtu për qëllime të organizimit të drejtësisë, duhet të ketë lëvizje të gjyqtarëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›