Drejt mbylljes kompania e parë e udhëtimeve Shqipëri-Itali
E njohur si “dallëndyshja e parë e lundrimeve të trageteve” me Italinë, kompania “Adriatika”, e cila prej 30 vitesh ka kryer transportin nga porti i Durrësit drejt porteve italiane, po shkon drejt mbylljes. Sinjali i parë u dha të premten në mbrëmje kur trageti që do të nisej si zakonisht nga Durrësi në drejtim të Barit, ka anuluar lundrimin dhe pasagjerët e tij udhëtuan me tragetin e një kompanie tjetër. Sipas burimeve nga porti i Durrësit, mësohet se “Kompania “Adriatika” e cila procedon me tragetet e linjës “Tirrenia” është drejt mbylljes”. Ajo është një kompani shtetërore italiane e cila po plotëson letrat e likuidimit përfundimtar. Ky është informacioni që kanë marrë edhe agjencitë e shitjes së biletave në Durrës”. Mbyllja e kësaj linje rrezikon të lerë pa punë punonjësit e agjencisë “Taulantia” në Durrës e cila u ngrit para 30 vitesh.
Mbyllja
Burimet zyrtare nga porti thanë dje për “standard” se “të premten në mëngjes në portin e Durrësit mbërriti trageti “Flaminia” i linjës Bari-Durrës i kompanisë “Adriatika”, ku sipas orarit të punës, ai duhej të nisej për lundrim në mbrëmjen e po asaj dite. Por çuditërisht, nuk ndodhi kështu, pasagjerët të cilët ishin pajisur me bileta për të udhëtuar me këtë traget u imbarkuan në tragetin e linjës “Adria Ferries” në bazë të një marrëveshjeje që kishte bërë “Adriatika”. “Adriatika”, kompani shtetërore lundrimi italiane, do të mbyllet me vendim të qeverisë të vendit fqinj, ndërsa disa punonjës atje po merren me plotësimin e dokumentacionit të likuidimeve. Deri në përfundim të këtyre procedurave, linja Bari-Durrës do të vazhdojë të funksionojë, por me një ndryshim, tragetet e kompanisë “Adriatika” do të lidhin Durrësin me Barin tri herë në javë. Gjatë ditëve të mungesës së trageteve të saj, kompania ka rënë dakord me “Adria-Ferries”, që ajo të fusë tragetet e saj në linjë sikurse ngjau edhe të premten në mbrëmje.
Si u krijua “Adriatika”
“Adriatika”, kjo kompani italiane, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1980. Në bazë të një marrëveshjeje të qeverisë komuniste me atë italiane, tragetet vinin në portin e Durrësit 1 herë në javë dhe shërbenin vetëm për të transportuar trajlerat e eksportit, pasi për pasagjerë ajo shërbente rrallë. Në funksion të përpunimit të trageteve të kësaj kompanie në portin e Durrësit u krijua agjencia detare “Taulantia”. Pas vitit ’90, me ngjarjet e eksodeve, kompania i trefishoi linjat me Durrësin dhe e lidhi këtë port veç me Barin edhe me Ankonën e Triesten. Që nga ajo kohë tragetet ishin të pranishme në Durrës për çdo ditë. Në vitin 2000 kompania shiti së pari linjën me Triesten dhe pas një viti edhe atë më Ankonën të cilat u blenë nga kompani private lundrimi, ajo ka vendosur të mbyllë edhe linjën me Barin dhe t’i japë fund ekzistencës së saj.
Mbyllja e aktivitetit rrezikon mbylljen e agjencisë detare “Taulantia”, e krijuar në funksion të saj.