“Efekti” Merkel, Gjermania e Rusia: Zgjidhje politike për Sirinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se Gjermania dhe Rusia janë të bashkuara në kërkimin e një zgjidhjeje politike të konfliktit të përshkallëzuar në Siri.
Ajo i ka bërë këto komente në Berlin, pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Jemi pajtuar që çdo vend – kjo i përket edhe Gjermanisë – duhet të bëjë çmos për të siguruar se konflikti në Siri nuk do të rrëshqasë në luftë civile”, ka thënë Merkel.
Putin ka hedhur poshtë zërat se vendi i tij “mbështet regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Asad”.
“Të gjithë ata që pretendojnë se Rusia mbështet ndonjë regjim të veçantë, në këtë rast të presidentit Asad, e kanë gabim. Ne kemi pasur marrëdhënie të mira me Sirinë për shumë vite, por nuk e mbështesim asnjërën palë”, ka thënë Putin.
Takimi i tyre pason masakrën e 25 majit në Houla të Sirisë, ku forcat e regjimit kanë vrarë 108 persona, shumica nga ta gra dhe fëmijë.
Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar.