Egbo sulmes te Bylis Skenderbeu dy ne stol
Java e 16 e Kategorisë Superiore ka rezervuar çudi tipike shqiptare. Në ndeshjen e luajtur dje në Krujë, trajneri i Bylisit ka aktivizuar si sulmues Emanuel Egbonë, që për “zanat” ka rolin e portierit. Vendimi i trajnerit Ilievski lidhej me faktin se ai kishte vetëm tre lojtarë në stolin e rezervave dhe duke qenë se mallakastriotët ishin në dizavantazh 2-1, dëshironte të nxirrte ekipin në sulm. Për të realizuar këtë, alternativa më e mirë që tekniku maqedonas gjeti ishte aktivizimi i Egbosë në 10 minutat e fundit. Një tjetër ngjarje e rrallë ka ndodhur të enjten në Korçë, ku përveç titullarit Orges Shehi, Skënderbeu kishte në procesverbalin e ndeshjes me Elbasanin dy portierë rezervë. Bëhet fjalë për Ametllin dhe Llapanjin. Një vendim që mund të lidhet me mungesat, ose me faktin se Shehi luan prej dy javësh i dëmtuar.