E Diel, 1 Nëntor 2026

PLEQRIA

Qasje

Ajo që dëgjojmë përditë nëpër biseda, në televizione apo lexojmë në revista e gazeta është gjithnjë e fokusuar në moshën e re, apo në atë të mesme. Merren me bëmat e tyre, me ato që thonë. Plot emisione televizive u dedikohen të rinjve. Makinat në rrugë i ngasin vetëm njerëz pa rrudha në fytyrë… Po ata me rrudha ku janë? Pse fshihen kështu? Apo ndoshta ne i kemi lënë pas dore si një pjesë të konsumuar… Unë jam fanse e moshës së tretë, po e quaj kështu, sepse nuk di ta shpreh ndryshe ndjenjën qe më përshkon kur shoh ndonjë prej tyre në rrugë. Fytyrat me atë shprehjen fëminore që besoj secili e humb në një pikë të jetës, dhe e rifiton pikërisht atëherë. Nuk mund ta anashkaloj baritjen e ngadaltë që gjithnjë lihet pas nga mosha më e re që nxiton për diku, apo ulja me vështirësi në sediljen e autobusit që jo shumë shpesh u lirohet nga të tjerë më të rinj. Në Amerikën e Veriut mosha e tretë është pagëzuar me emrin “Mençuri”. Sa kohë kam pa parë në emisionet shqiptare të merret mendimi i një të moshuari për një temë apo një tjetër. Sa kohë kam pa parë të rinj të ecin përkrahu me gjyshërit nëpër rrugë – Jo… se kushedi ç’do thonë të tjerët.

E sa më shumë dëgjoj e shoh nga këto, aq më shumë më vjen të mendoj se si kanë arritur deri këtu. Të mos harrojmë se edhe ata kanë qenë të rinj, sigurisht kjo tingëllon pak klishe duke qenë se e dëgjojmë shpesh të thuhet…, por sa e vërtetë është! Kanë dhënë mendime, kanë rendur edhe ata në rrugë për të qenë në kohë diku. Pyetja ime është: pse zërat e tyre janë ulur? Pse kalimi në brezin e tretë i bën të heshtur e të urtë? Ata kanë shumë për të thënë, kanë eksperiencën e një jete të mbartur në rrudhat e ballit. Ndoshta ne përtojmë t’i dëgjojmë, sepse flasin ngadalë? Bota po ecën me ritme kaq të shpejta saqë nuk ka kohë për ata që e kapërcejnë rrugën me hapa të vegjël? Gjithnjë tendenca e brezit më të ri është t’i “japë mend” brezit më të vjetër. Të rinjtë u japin mend prindërve të tyre, e këta prindër u japin mend të tyrëve. Unë mendoj se të arrish pleqërinë është fat. Ne jemi mësuar ta shfrytëzojmë fatin e të tjerëve kur kemi mundësi, pse nuk e shfrytëzojmë fatin e tyre për të mësuar për një kohë që s’e kemi jetuar? Edhe ne do të arrijmë një ditë atje, sigurisht nëse do të jemi me fat…do të kemi shumë për të thënë, dhe do duam atë vëmendje që nuk e kemi dhënë dikur. “Shoqëria jonë duhet të bëjë ç’është e drejtë dhe e mundur që të vjetërit të mos tremben apo braktisen nga të rinjtë, sepse prova më e mirë e një civilizimi është mënyra se si kujdeset për anëtarët e tij më të pambrojtur”, citon shkrimtarja amerikane, Pearl Buck, në fillim të shekullit të kaluar. Ne nuk i kemi hyre akoma kësaj dileme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›