E Martë, 3 Nëntor 2026

Egërsohet deti Jon në Sarandë, ngrihet flamuri i kuq, pakësohet aktiviteti i lundrimit

Ndryshimi i motit i shoqëruar me erë dhe dallgë të forta në det, ka rritur alarmin e sigurisë në plazhe.

Nga dita e djeshme është njoftuar që sot duhet ngritur flamuri i kuq, çka do të thotë se notimi në det është i rrezikshëm.

Në fakt që në mëngjes dallgët janë shtuar ndjeshëm edhe në bregdetin e Sarandës. Ndonëse ky qytet është i frekuentuar  nga mijëra pushues vendas dhe të huaj, dita e sotme nuk ka qenë shumë e përshtatshme për të pasionuarit e notimit.

Pushuesit kane zgjedhur të qëndrojnë në çadra, në pritje të përmirësimit të kushteve të detit. Edhe lundrimet janë ulur ndjeshëm, pasi kapitaneria e portit ka urdhëruar qëndrimin në kalata për mjetet lundruese të tonazhit të ulët, deri në përmirësimin  e  kushteve të lundrimit.

Njoftimi për flamurin e kuq është dhënë që ditën e djeshme nga federata e vrojtuesve të plazhit dhe shpëtimit.

Gazetar Norel Zaimi

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›