Egjip, zëvendësi i Mubarakut kandidon për president

Omar Suleiman
Vëllazëria Myslimane në Egjipt ka paralajmëruar se do të rinisë protestat nëse ish-shefi i sigurimit dhe zëvendësi i Hysni Mubarak zgjidhet president. Zv.presidenti dhe shefi i inteligjencës Omar Suleiman ka zyrtarizuar kandidaturën pak para përfundimit të afatit të lejuar.
Suleimani, 71 vjeç, dorëzoi kërkesën me 72 mijë forma, dyfishin e kërkuar. Ai është shprehur se nuk ka mbështetjen e ushtrisë dhe akuzoi islamistët se e kanë kërcënuar me vdekje. Por e kaluara e tij për shumë egjiptianë do të thotë se ai gëzon mbështetjen e ushtrisë, që drejton vendin që pas largimit të Mubarakut.
Kandidati i Vëllazërisë Myslimane Khairat al-Shater e ka përshkruar lëvizjen ofenduese për popullin e Egjiptit.
Zgjedhjet presidenciale janë parashikuar të nisin me 23 maj dhe do të jenë të parat që prej largimit të Mubarakut në shkurt të 2011-s. 23 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për të hyrë në garë. Lista provizore e kandidatëve pritet të publikohet sot dhe pritet që ajo të dominohet nga islamikët dhe zyrtarët e qeverisë së fundit. /F.S/