Mandati i Seserit vazhdon të mbahet peng nga Topalli, por kjo edhe për pak ditë

Rudina Seseri
Partia Socialiste që prej dorëzimit të mandatit nga ana e deputetes së qarkut të Durrësit, Rudina Seseri vazhdon të përfaqësohet në Kuvend me një deputet më pak nga numri që fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Debati mes PS-së dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli ka të bëjë me procedurat. Kjo për shkak se Topalli pretendon që mandati i Seserit – sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – i kalon Gjon Bardhit. Ky i fundit e ka refuzuar mandatin duke preferuar që të qëndrojë në krye të Bashkisë Krujë (mandat të cilin e fitoi në zgjedhjet e 8 majit).
Nga ana tjetër, PS pretendon se kjo është çështje e zgjidhur dhe se mandati duhet t’i kalojë personit që në listën e kandidatëve vjen pas Bardhit, që në këtë rast i takon Edison Konomit. Në këtë pikë, sipas Topalli çështja duhet ankimuar në Gjykatën Kushtetuese pasi sipas saj KQZ ia ka dhënë mandatin Bardhit, pretendim i cili është i pambështetur ligjërisht.
Damian Gjiknuri në një deklaratë për shtyp është shprehur se kemi të bëjmë në një rast të paprecedentë, pasi nënvizon ai mandati duhet ti kalojë automatikisht kandidatit në pritje.
Ndërkohë, Kodi Zgjedhor i miratuar me konsensusin e dy partive të mëdha në fund të vitit 2008 parashikon në nenin 162 pika 2 Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni (Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse). E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike”.
Kjo do të thotë se me vullnet të keq Topalli mund të shtyjë procedurën në një limit deri në 90 ditë nga dorëzimi i mandatit nga ana e Seserit. Çështje është e nxehtë për shkak se po afron periudha për zgjedhjen e presidentit të ri dhe të dy partitë këtë çështje procedurale e kanë kthyer në debat dite. Kujtojmë se Seseri ka hequr dorë publikisht nga mandati në fillim të muajit janar (12 janar). /F.Stafa/