E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt, Mubarak do të dalë para gjyqit në 19 prill

Ish presidenti egjiptian Mubarak dhe dy nga djemtë e tij, Alaa e Gamal, duhet të dalin përpara gjykatës së Kairos në 19 prill. Lajmi është bërë publik nga televizioni publik egjiptian. Mubarak dhe dy djemtë e tij nga dita e mërkurë ndodhen në arrest për një sërë akuzash për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe shtypje të dhunshme të protestave në shesh që gjatë muajit shkurt, çuan në përmbysjen e regjimit të Mubarak. Ish presidenti vijon të ndodhet në spital në Sharm el Sheik për shkak të problemeve në zemër, megjithatë gjendja e tij aktuale është e stabilizuar. Në Egjipt prokuroria po zbaton një urdhër arresti 15 ditor për presidentin egjiptian të rrëzuar, Husni Mubarak dhe dy djemtë e tij Gamal dhe Alaa. Por 82 vjeçari për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk do të futet në burg. Ndërkaq protesta anti Mubarak janë zhvilluar në ambientet përreth spitalit në Sharm el Sheik ku ndodhet Mubarak. Forcat e sigurisë kanë vendosur automjete të rënda ushtarake përreth spitalit për të siguruar jetën e Mubarakut i cili do të paraqitet në gjykatë pas disa kohësh. Edhe para se të shtrohej në spital, Mubaraku ishte marrë në pyetje për herë të parë nga drejtësia lidhur me korrupsionin në kohën e qeverisjes së tij si dhe për dhunën e ushtruar ndaj lëvizjes demokratike në vend. Marrja në pyetje sipas të dhënave nga organet e drejtësisë ka vazhduar edhe në spital. Djemtë e Mubarakut akuzohen se në muajin janar kanë planifikuar sulme vdekjeprurëse kundër demonstruesve duke paguar grupe të posaçme njerëzish. Gjatë protestave u vranë rreth 800 vetë, mijëra të tjerë u plagosën. Një tjetër akuzë ndaj ish presidentit dhe fëmijëve të tij është përvetësimi i parave të shtetit

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›