E Shtunë, 31 Tetor 2026

Japonia goditet nga tërmeti i katërt brenda 48 orëve

Një tjetër lëvizje sizmike me magnitudë 6,1 gradë e shkallës rihter goditi mëngjesin e së enjtes, sipas kohës lokale, Japoninë verio- lindore. Lajmi u bë i ditur nga instituti amerikan i gjeofizikës, që saktësoi se epiqendra është lokalizuar përtej ishullit të Honshu-së, në 11.2 km thellësi.

Tërmeti i radhës është i katërti brenda 48 orëve. Njëra nga sizmat shkaktoi edhe dy të vdekur. Për situatën në Japoni, ka komentuar edhe Drejtori i agjencisë bërthamore në Rusi, Sergei Kirjenko, i cili tha se Japonia e zmadhon rëndësinë e dëmit në centranin bërthamor Daiçi në Fukushima, dhe këtë me siguri e bën për arsye financiare.

Kirjenko i bëri këto vlerësime duke komentuar rritjen e kategorisë së rrezikut nga dëmtimi në Fukushima duke e barazuar me atë të Çernobilit në vitin 1986.

"Nuk mund të vlerësoj saktë përse kolegët japonezë morën një vendim të tillë", tha Kirjenko, dhe shtoi se ai dyshon që arsyet të jenë të natyrës financiare. Ai gjithashtu tha se autoritetet japoneze fillimisht u përpoqën të minimizojnë seriozitetin e gjendjes në Fukushima, por atje situata po përmirësohet.

Pasi e rriti nivelin e rrezikut në shkallën e shtatë, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se gjendja në Fukushima është e ndryshme nga ajo në Çernobil.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›