Egjipt, Gjykata lë në fuqi vendimin për parlamentin

Gjykata e Lartë e Egjiptit ka lënë në fuqi vendimin e saj për shpërndarjen e parlamentit.
Vendimi i së hënës duket se do të shkaktojë përplasje mes presidentit të ri islamik Mohamed Morsi, i cili të dielën urdhëroi rimbledhjen e parlamentit, pavarësisht vendimit të gjykatës si dhe ushtrisë së fuqishme të Egjiptit, e cila e mbështet gjykatën.
Më herët, kryetari i parlamentit Sad el-Katatni caktoi një seancë të ligjvënësve për të martën duke iu përgjigjur dekretit të Morsit.
Morsi tha se parlamenti duhet të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjet e reja, të cilat mund të mbahen brenda 60 ditëve nga miratimi i kushtetutës së re.
Gjykata Supreme vendosi muajin e kaluar se parlamenti ishte i paligjshëm, pasi që ligji zgjedhor i Egjiptit ishte jokushtetues.
Ky vendim është mbështetur nga Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i cili ka lëshuar një dekret që ia jep vetes të gjitha kompetencat legjislative.