E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt Mubarak Nuk do te garoj per president

Presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, deklaroi se nuk do të garojë për një mandat të ri presidencial në zgjedhjet e shtatorit. 82-vjeçari tha se do ta përdorë kohën e mbetur për të siguruar kalim paqësor të pushtetit. "Përgjegjësia ime parësore është kthimi i sigurisë dhe stabilitetit në vend, në mënyrë që të kemi një kalim paqësor të pushtetit, në frymën ku Egjipti dhe egjiptianët të jenë të mbrojtur.

Pushteti do t'i kalojë kujtdo që zgjidhet nga populli në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. E them me ndershmëri, pavarësisht zhvillimeve të fundit, se nuk do të garoja në zgjedhjet e ardhshme. Kam kaluar shumë kohë në shërbim të Egjiptit dhe popullit, por tani jamë më se i vendosur ta përfundojë mandatin tim për hir të kombit", tha Mubarak gjatë një fjalimi në televizion.

Fjalimi i Mubarakut erdhi në kohën kur dhjetëra mijëra egjiptianë kanë mbushur rrugët e vendit për ta larguar atë nga kreu i shtetit. Presidenti Obama tha se ka folur me udhëheqësin egjiptian dhe Mubaraku e pranon faktin se status quo-ja nuk është e qëndrueshme. Një nga figurat kryesore sot në Egjipt, fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Mohamed El Baradei e cilësoi veprimin e Mubarakut si "manovër” e në sheshin kryesor të Kajros protestuesit vazhdojnë të kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›