Egjipt, arratisen mijëra të dënuar

Disa mijëra të burgosur janë arratisur mbrëmjen e kaluar nga burgu i Vadi Natrun, 100 kilometra në veri të Kajros, bëhet e ditur nga burime të shërbimeve të sigurisë së Egjiptit.
Të burgosurit janë arratisur pas një rebelimi, gjatë të cilit ata rrëmbyen armët e gardianëve të burgut. Egjipti hyn sot në ditën e gjashtë të revoltave kundër regjimit të presidentit Hosni Mubarak.
Ndërkaq, disa nga Bursat e vendeve arabe pësuan rënie të konsiderueshme sot, me mbi 6 për qind në Dubai, të ndikuara nga tensionet në Egjipt. Në bursën e Dubait, indeksi DFM ra me 6,7 për qind, ku gjigandi i ndërtimeve “Emaar Properties”, humbi vetëm në hapje 10 për qind, pragu maksimal i autorizuar nga rregullat e tregut.
Bursa e Abu Dhabit humbi 3,74 për qind vetëm në shkëmbimet e para dhe aksionet e gjigandit të telekomunikacioneve “Etisalat”, që operon në Egjipt nëpërmjet “Etisalat Misr”, ka ranë me 3,35 për qind.
Edhe në Kuvajt, Bursa e tregut të dytë në rajon pas atij të Arabisë Saudite, shënoi rënie me 2,14 për qind.
Bursa e Katarit u hap me një rënie prej 5 për qind, ndërsa tregu saudit, më i rëndësishmi në botën arabe, humbi 6,43 për qind.