Egjipt, betohet sot presidenti i ri

Mursi përshëndet turmën: Revolucioni do vijojë deri në përmbushjen e objektivave
Presidenti i ri i Egjiptit, Mohamed Mursi përshëndeti turmën e njerëzve të mbledhur në sheshin Tahrir të Kajros, duke thënë se revolucioni duhet të vazhdojë deri në përmbushjen e të gjithë objektivave të tij.
Deklarata e të parit kryetar, të zgjedhur në mënyrë demokratike, erdhi në vigjiljen e ceremonisë së tij të betimit.
“Jeni ju burimi i çdo autoriteti dhe legjitimiteti. Zotohem të mos shpërdoroj pushtetin që më jepet si president, por të jem një kryetar i denjë shteti për të gjithë ju”, tha Mohamed Mursi, President i zgjedhur i Egjiptit.
Me këto fjalë, 61 vjeçari bëri një betim simbolik përpara njerëzve që protestonin ndaj sundimit ushtarak të vendit, ndërsa ceremonia e vërtetë mbahet të shtunën përpara Gjykatës Kushtetuese.
Vëllazëria muslimane, në emër të së ciles Mursi kandidoi në zgjedhje, kishte deklaruar më parë se betimi do të bëhej përpara parlamentit, por ky i fundit u shpërbë javën e kaluar nga Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura. Asambleja e zgjedhur në muajin nëntor, dominohej nga islamikët e mbështetur prej partisë për liri dhe drejtësi. Relatat që do të vendosë me këshillin ushtarak do të jenë sprova kryesore për presidentin e ri.
Këshilli ka deklaruar se do t’ia kalojë atij frerët e pushtetit në fund të muajit, por nuk dihet sa do ta mbajë vërtet këtë premtim.