E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipt, nis grushti i shtetit, Morsi: Nuk largohem

ROMË –Në Egjipt po përgatitet grushti i shtetit ndaj Presidentit Morsi, ndërsa ky i fundit deklaron se nuk do të dorëhiqet, por do qëndrojë në mbrojtje të demokracisë së vendit.

Kështu bën të ditur rrjeti informativ Al Arabiya duke theksuar se situata në Kajro nuk është aspak e mirë.

Disa njësi tankesh janë dislokuar gjatë orëve të fundit përpara kompleksit të ndërtesave të televizionit publik egjiptian, njoftoi rrjeti informativ Al Arabiya, që citonte burime të sigurisë vendase.

Po i njëjti rrjet informativ theksonte se ''i gjithë personeli i televizonit kishte ndërprerë transmetimet e drejtpërdrejta dhe ishte evakuar nga ndërtesat''.

Përleshjet midis mbështetësve të Morsit dhe kundërshtarëve të tij kanë lënë së paku 23 të vrarë natën e kaluar në Kajro. Shifra çon në 39 numrin e njerëzve të vrarë prejse kanë nisur protestat masive, ditën e diel.

USHTRIA ULTIMATUM MORSIT: DERI NË ORËN 16:00 TË JESH LARGUAR
Pasiguria politike në Egjipt sa vjen e thellohet. Ushtria i ka dhënë kohë presidentit Muhammad Morsi deri në orën 16:30 për të gjetur kompromis me opozitën. Miliona protestues anembanë vendit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.

Në deklaratën e ushtrisë thuhet: “Betohemi në Zotin se do të sakrifikojmë gjakun tonë për Egjiptin dhe popullin e tij, për t’i mbrojtur ata kundër terrorizmit dhe radikalizmit”.

Raportet e disa mediave thonë se plani i ushtrisë përfshin një skicë për zgjedhje të reja presidenciale, pezullim të Kushtetutës së re dhe shpërbërje të Parlamentit.

Por, një zëdhënës i Vëllazërisë Myslimane, partisë së presidentit Morsi, ka thënë se ushtria nuk ka të drejtë të ofrojë një plan të tillë.

“Udhërrëfyesi është diçka që përshkruan Kushtetuta dhe drejton presidenti. Ai nuk është rol i ushtrisë”, ka thënë Gehad el-Haddad.

Ai ka theksuar se Vëllazëria Myslimane është e hapur për çdo zgjidhje, porse ajo duhet të kalojë përmes “përfaqësuesve të popullit”.

Burimet ushtarake i kanë thënë BBC-së se pozita e presidentit është duke u bërë gjithnjë e më e dobët dhe kanë sugjeruar se ai mund të zëvendësohet nga këshilli i teknokratëve përpara zgjedhjeve të reja.

Presidenti është vënë nën presion edhe me dorëheqjen e gjashtë ministrave të qeverisë së tij, përfshirë ministrin e Jashtëm, Kamel Amr.

MORSI NË PUSHTET PAS MUBARAK
Morsi është bërë presidenti i parë islamik i Egjiptit më 30 qershor, 2012. Zgjedhjet presidenciale kanë pasuar revolucionin e vitit 2011, i cili ka çuar në rrëzimin e sunduesit veteran të Egjiptit, Hosni Mubarak.

Kritikët e Morsit thonë se ai u ka dhënë shumë pushtet islamikëve dhe ka dështuar të trajtojë problemet ekonomike.

“Ky është një president që kërcënon popullin e tij. Nuk e konsiderojmë president të Egjiptit”, thotë Mohammed Abdelaziz, njëri nga udhëheqësit e fushatës së opozitës.

Megjithatë, Morsi dhe Vëllazëria e tij Myslimane kanë ende mbështetje të rëndësishme publike. Një numër masiv i qytetarëve është tubuar në mitingje rivale, në mbështetje të tij.

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar amerikanët të mos udhëtojnë drejt Egjiptit dhe kanë urdhëruar stafin jo-urgjent diplomatik në Kajro që të lërë zyrat.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka kërkuar të martën nga Morsi “që të ndërmarrë hapa, të cilët tregojnë se ai është përgjegjës për shqetësimet e kundërshtarëve të tij politikë”.

Jostabiliteti ka goditur edhe çmimet globale të naftës, duke çuar çmimin e naftës së papërpunuar në SHBA në mbi 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga shtatori i vitit të kaluar. Kjo ka ndodhur për shkak të frikës se rrugët e furnizimit përmes Kanalit të Suezit mund të ndikohen nga kriza

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›