Egjipt, pritet shpallja e qeverisë

Qeveria e re në Egjipt pritet të shpallet zyrtarisht dhe të betohet përpara presidentit Mohammed Mursi, që mori drejtimin e shtetit muajin e kaluar.
Raportet mediatike sugjerojnë se qeveria e kryeministrit të caktuar Hisham Qandil do të përbëhet kryesisht nga teknokratë, me të paktën dy ministra nga qeveria e kaluar dhe vetëm pakë islamikë.
Ish-udhëheqësi ushtarak Mohammed Hussein Tantawi pritet të bëhet ministër i Mbrojtjes ndërsa ministër i Jashtëm do të jetë Mohammed Kamal Amr dhe ministër i Financave, Mumtaz al Said.
Presidenti Mohammed Mursi është kritikuar disa herë për kohën e gjatë për caktimin e kryeministrit dhe për formimin e qeverisë, që kur mori detyrën në qershor.