E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt, prokurorët kërkojnë vdekjen e ish-presidentit Mubarak

Prokurorët që kanë marrë çështjen e ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, kanë kërkuar dënimin e tij me vdekje. Mubarak po gjykohet në Kajro mbi akuzat e urdhërimit të vrasjes së protestuesve gjatë trazirave që e rrëzuan atë nga pushteti. E njëjta kërkesë pritet të bëhet edhe për ministrin e Brendshëm, Habib el-Adly dhe gjashtë ish-krerët e Sigurimit. Gjatë protestave masive që zgjatën 18 ditë kundër rrëzimit të Hosni Mubarakut, u vranë rreth 800 protestues. Ish-presidenti dha dorëheqjen më 11 shkurt. Çdo gjykim i drejtë duhet të vendoste vdekjen e këtyre të akuzuarve, tha prokurori Mustafa Khater, sipas AFP. Ai nuk mund të thotë se si kreu i shtetit nuk dinte asgjë për atë që po ndodhte. Ai është përgjegjës dhe tani duhet të vuajë pasojat ligjore dhe politike për atë që ka ndodhur, shtoi prokurori. Por ekzekutimi i Mubarakut nuk është i sigurt. Prokurorët ankohen se nuk kanë bashkëpunimin e Ministrisë së Brendshme dhe se një dëshmitar kyç ka ndryshuar dëshminë e tij. Prokurorët thonë se kanë dëshminë e rreth 2 mijë personave për këtë gjyq, përfshirë oficerë policie, të cilët i kishin vënë në diskutim rregullat nga lart për të përdorur armët automatike kundër protestuesve. Në gjyqin që ka nisur në gusht kanë dëshmuar figurat më të larta politike të Egjiptit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›