E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt protesta ne diten e 7. El Baradei ne krye te opozites

Në Kairo protesta hyn në ditën e shtatë. Protestuesit janë shprehur të vendosur për të qëndruar në Sheshin Tahrir derisa të largohet nga pushteti Hosni Mubarak. Përballë protestave të masave dhe kërcënimit të anarkisë në Egjipt, presidenti Mubarak ka ngarkuar kryeministrin e tij të ri Ahmad Shafik me ndërmarrjen e reformave politike. Për të rivendosur besimin në ekonominë e vendit janë të nevojshme reforma të Kushtetutës dhe legjislacionit bënte të ditur kreu i shtetit në një letër dërguar kryeministrit të ri Ahmed Shafiq.

Kryetari i shtetit egjiptian u shpreh për "dialog me të gjitha partitë". Por ndërsa qeveria egjiptiane planifikon reforma, opozita kërkon qeveri kalimtare. Nobelisti Mohamed el Baradei është bërë në Kairo zëdhënësi politik i lëvizjes opozitare kundër rreth 30 vjet qeverisjeje autoritare të Mubarakut. Dje në sheshin qendror Tahrir ai mbajti një fjalim para mijëra demonstruesve.

Gjatë natës qindra kundërshtarë të Mubarakut dolën në qendër të qytetit megjithë ndalimqarkullimin, i cili u zgjat përsëri. Trupat e stacionuara në qendër të qytetit nuk vepruan kundër demonstruesve. Por në rrugë kalonin tanke dhe dëgjoheshin të shtëna. Situata e sigurisë në Kairo është përkeqësuar më tej. Në shumë lagje të qytetit plaçkitësit dominojnë sërish rrugët. Qytetarët janë organizuar në grupe për të mbrojtur lagjet e tyre të banimit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në samitin e Unionit Afrikan në Etiopi, bëri thirrje për gjakftohtësi dhe heqje dorë nga dhuna në Egjipt. Presidenti amerikan, Barak Obama fton Mubarakun për “një tranzicion të rregullt” në demokraci në Egjipt. Shtëpia e Bardhë tha se Obama kishte biseduar me telefon me liderët e Turqisë, të Izraelit, të Arabisë Saudite dhe të Britanisë, për krizën në Egjipt. Shumë vende kanë filluar tu bëjnë thirrje shtetasve të tyre, që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga Egjipti. Iraku, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Arabia Saudite, India dhe Turqia, kanë bërë të ditur se po organizojnë fluturime për evakuimin e qytetarëve të tyre. Shumë qeveri, u kanë tërhequr vërejtjen qytetarëve të tyre, që të mos udhëtojnë në pjesën më të madhe të Egjiptit.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›