E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt tensioni arrin kulmin. Sot marshimi i milionave

Sheshi Tahrir zgjohet dhe më i vendosur një  ditë pas fjalimit presidencial  që  ishte tejet larg  pritshmërive të manifestuesve. E ndërsa Mubarak shtrëngon pushtetin, tensioni arrin majat në sheshin  kryesor të Kajros e paralajmërohet një ditë e zjarrtë. Me protesta masive dhe me një të ashtuquajtur "marsh i milionave", turmat në Egjipt do të përpiqen edhe të detyrojnë  presidentin e tyre Husni Mubarak që të largohet nga pushteti.

Në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror, Mubaraku ka bërë të ditur se do ta kalojë pushtetin e tij në duart e zëvendëspresidentit Omar Suleiman, por nuk dha dorëheqjen e pritur. Njerëzit reaguan me mllef dhe dëshpërim. Mijëra demonstrues kaluan edhe një natë në sheshin Tahrir në qendër të Kajros, i cili po mbahet i rrethuar me mjete të blinduara e ku është shtuar prezenca e ushtrisë nën frikën se protesta e sotme mund të degjenerojë në dhunë. Masa të mëdha njerëzish janë mbledhur për herë të parë edhe para pallatit presidencial dhe godinës së televizionit shtetëror.

Qindra mjekë kane marshuar nga spitalet e tyre për t'ju bashkuar demonstruesve. Edhe punëtorët e transportit publik janë gjithashtu në grevë ndërsa stafi i një gazete pro-qeveritare, Al Ahram ka publikuar një shtojcë në mbështetje të protestave. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se një numër në rritje i aktivistëve anti-qeveritarë janë duke u arrestuar ose janë zhdukur. Politikani opozitar Mohamed El Baradei paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes e i kërkoi ushtrisë të shpëtojë vendin. Ndërsa  Ministri i Jashtëm Ahmed Abdul Gheit ka paralajmëruar se ndërhyrja e forcave të sigurisë kundër demonstruesve do të shkaktonte një kaos në vend. Fjalimi televiziv i presidentit të Egjiptit Husni Mubarak ka zhgënjyer jo vetëm egjiptianët por dhe spektrin ndërkombëtar.

SHBA-ja kanë ashpërsuar kritikat dhe qëndrimin ndaj qeverisë në Kajro. Presidenti amerikan Barack Obama kërkoi hapa konkrete drejt demokratizimit të vendit. Ministrja e Jashtme evropiane Catherine Ashton, kërkoi një ndërrim të menjëhershëm të pushtetit. Ndërsa presidenti francez Nicolas Sarkozy paralajmëroi për mundësinë e marrjes së pushtetit nga fondamentalistë fetarë ndonëse deklaroi mbështetjen për tranzicionin drejt demokracisë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›