Egjipt, tërhiqet nga gara El Baradei

Politikani egjiptan dhe ish-kreu i Agjencisë së OKB-së për Energjinë Bërthamore, Mohamed El Baradei do të tërheqë kandidaturën e tij nga zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më vonë gjatë vitit në Egjipt.
Zoti El Baradei, i cili fitoi cmimin Nobël për Paqen në vitin 2005, deklaroi se e kishte marrë këtë vendim në shenjë proteste ndaj mënyrës se si krerët e ushtrisë egjiptiane qeverisën pas rënies së Mubarak, njësoj sikur të mos kishte pasur një revolucion.
“Ndërgjegjia ime nuk më lejon të garoj për presidencën apo ndonjë post tjetër zyrtar, nëse zgjedhja nuk bëhet në mënyrë demokratike”, deklaroi El Baradei.
Një këshill ushtarak ka drejtuar Egjiptin që nga rënia e Mubarak. Zgjedhjet janë planifikuar të mbahen në qershor të 2012.
Kritikët e zotit El Baradei thonë se ai nuk kishte shumë shanse për t`u bërë president. Ai kishte dashur një kushtetutë të re që të hartohej para se të mbaheshin zgjedhjet.