Egjipti hyn në ditën e dytë të votimeve

Në Egjipt ka filluar dita e dytë e votimeve, në zgjedhjet e para që nga rënia e presidentit Hosni Mubarak, përmes protestave popullore që përfshinë të gjithë vendin.
Dita e parë e votimeve për një Parlament të ri ishte në përgjithësi e qetë. Procesi u zgjat me dy orë për shkak të radhëve të gjata dhe u regjistruan vetëm disa probleme sporadike.
Shumë protestues që kishin mbushur sheshin Tahrir e kanë bojkotuar votimin. Ekzistonte frika se votimi mund të shtyhej pas protestave që u zhvilluan kundër pushtetit të përkohshëm ushtarak, që zëvendësoi Mubarak.
Protestuesit druhen se Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i drejtuar nga marshalli Hussein Tantawi, synon të marrë në dorë pushtetin.
Të paktën 41 protestues janë vrarë dhe mbi 2 mijë të tjerë janë plagosur në 10 ditët e fundit, kur tensionet janë rritur në shtetet kryesore të botës arabe.
Korrespondenti i BBC, Kevin Connolly thotë se shumë parti politike bien dakord se Egjipti ka hyrë në rrugën e trazirave të reja. Sipas tij, ky është tregues i një oreksi negativ për demokraci, ku liria e shprehjes është e fundit.
“Nuk ka pasur kuptim të votonim më parë. Zërat tanë ishin tërësisht të papërfillshëm”, deklaron për “AFP” Mona Abdel Moneim, një nga gratë që votojnë për herë të parë.