KFOR-i kërcënon me plumba të vërtetë

KFOR-i më në fund duket se e ka humbur durimin ndaj serbëve në veri të vendit, që po vazhdojnë të sulmojnë pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë. Përmes një deklarate, KFOR-i ka kërcënuar serbët të cilët kanë bllokuar rrugët se do të përdorin plumba të vërtetë në rast se rrezikohet jeta e ushtarëve.
Ky mision ka shpjeguar edhe aksionin e djeshëm në Kosovë duke shtuar se largimi i bllokadës nga KFOR-i është bërë ashtu siç ishte planifikuar. “KFOR-i ka zbatuar mandatin e tij në rivendosjen e lirisë së lëvizjes. Operacioni ishte i suksesshëm dhe është kryer pa dhunë ndaj demonstruesve. Më vonë demonstruesit sulmuan pozicionet e KFOR-it dhe shkaktuan të plagosur. Protestuesit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të trupave të KFOR-it dhe dy ushtarë janë plagosur. Dhuna nga protestuesit ende vazhdon. Protestuesit përdorin mjete shpërthyese dhe bomba molotov kundër KFOR-it. Deri më tani, janë plagosur 23 ushtarë ” thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, protestuesit nuk mund aspak të cilësohen si demonstrues paqësorë, por si të dhunshëm dhe kriminelë.
“Deri më tani KFOR-i ka përdorur vetëm gaz lotsjellës, plumba gome dhe ujë. Megjithatë, në situata kërcënuese për jetën si kjo, ushtarët e KFOR-it do të përgjigjen me te gjitha mjetet proporcionale. Misioni i KFOR-it është t`i kontribuojë një ambienti të qetë e të sigurtë në Kosovë e cila përfshinë lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij, nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Çfarëdo veprimi që kërcënon ambientin e qetë dhe të sigurtë si dhe jetën e cilitdo është i papranueshëm”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Mirëpo, se sa seriozisht e ka kësaj radhe, KFOR-i tregon se nuk do të kursehen as plumbat e vërtetë. “KFOR-i do të ndërmarrë masa të duhura për të siguruar sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, por gjithashtu edhe të ushtarëve të tij. Ne nuk duam ta vrasim askënd, por po e përsëris edhe njëherë se nëse ushtarët tanë gjenden në situata kur jeta e tyre rrezikohet, ata do të përgjigjen me plumba të vërtetë” përfundon deklarata e KFOR-it.