E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipti në prag të luftës civile, rreth 30 të vdekur në protesta

EGJIPT - Qetësia ka rënë mbi Egjipt pas një nate përleshjesh të dhunshme mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit të shkarkuar Mohamed Morsi. Të paktën 30 persona mbetën të vrarë, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë u plagosën nga dhuna gjate natës së mbrëmshme.

Ndërkaq koalicioni i grupeve konservatore, të udhëhequra prej “Vëllazërisë Myslimane” ka premtuar se do të ketë demonstrata të tjera sot, duke rritur kështu frikën për më shumë dhunë. Ata kërkojnë rikthimin e Morsit si president, 3 ditë pas shkarkimit të tij përmes një grushti shteti nga ushtria. Mohamed Badie, lideri i “Vëllazërisë Myslimane”, duke folur para turrmës mbrëme premtoi se do të mbroje presidencën e Morsit madje edhe me jetët e tyre.

Ndërkaq një grup i ri islamik, i quajtur Ansar al-Shariah ka shpallur përmes internetit krijimin e tij në Egjipt, duke e quajtur largimin e Morsit një deklaratë lufte dhe duke kërcënuar se do të përdorë dhunën për të imponuar ligjin islamik. Grupi thotë se do të nisë të mbledhë armë dhe trajnimin e anëtarëve e të tij.

Ndërkohë sipas informacioneve të fundit, numri dy i Vëllazërisë myslimane dhe ish- kandidati për president Khairat El-Shater, është arrestuar dhe sipas burimeve të sigurisë egjiptiane që citohen nga agjencia zyrtare MENA, ai akuzohet për nxitje të dhunës.

Ka ndërhyrë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, duke i paralajmëruar egjiptianët t’i shmangen hakmarrjes dhe përjashtimit të partive dhe komunitetit nga jeta politike në vend. Ai ka shprehur shqetësim pikërisht për lajmet mbi arrestimet dhe cungimin e lirisë së fjalës si dhe raportimet për dhunë seksuale.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›