E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjiptianët shpërfillin shtetrrethimin, dhjetëra mijëra në rrugë

Demonstratat vijojnë edhe në këto momente në kundërshtim me gjendjen e shtetrrethimit të shpallur të shtunën, e cila fillon në orën 4 të pasdites dhe përfundon në 8 të mëngjesit, theksoi televizioni shtetëror.

Prezenca e forcave ushtarake mbetet, teksa ushtria paralajmëroi mijëra demonstruesit të Sheshin Tahrir, në qendër të Kajros se nëse ata vijojnë të shpërfillin gjendjen e shtetrrethimit mund të vihen në rrezik.

Korrespondenti i AL-Xhazirës në Kajro thekson se ushtarët në qendër të Kajros nuk po ndërhyjnë në protesta. “Disa nga ushtarët kanë thënë se e vetmja mënyrë që paqja të rikthehet në rrugët e Kajros, është dorëheqja e Mubarak-ut”, thotë Ayman Mohyeldin.

Raportet thonë se të paktën tre persona kanë humbur jetën teksa protestuesit u përpoqën sulmonin Ministrinë e Brendshme në Kajro.

Përveç të tjerash është rritur frika nga grabitjet. Ushtria paralajmëroi banorët që ta mbrojnë vetë pronën e tyre. Në qytetin e Aleksandrisë, qytetarët i kanë bërë thirrje ushtrisë që ti mbrojë nga grabitjet, ndërkohë që kanë filluar ngritjen e grupeve të vetëmbrojtjes.

Në Suez janë mbledhur rreth 2 mijë protestues, dhe ushtria nuk po konfrontohet me ta pavarësisht gjendjes së shtetrrethimit. Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 23 të vdekur në Aleksandri, 27 të vdekur në Suez dhe 22 në Kajro.

Megjithë dorëheqjen e qeverisë, protestuesit theksojnë se nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre pa dhënë dorëheqjen Presidenti i vendit, Hosni Mubarak.

Ndërkohë, Presidenti egjiptian Hosni Mubarak ka emëruar kreun e inteligjencës, Omar Soliman, në postin e zv/presidentit, në një lëvizje që cilësohet si reaksion ndaj protestave që tashmë kanë hyrë në ditën e tyre të pestë. Kjo është hera e parë që Mubarak emëron vetë zv/presidentin e vendit. Ndërsa Ahmad Shafiq, ish-ministër i aviacionit është emëruar në postin e kryeministrit.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-01-29 18:02
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›