Eglantina Gjermeni - Defiçitare me familjen
Fëmija i parë i familjes së saj, për shkak të angazhimit intensiv me punë të prindërve, është rritur me gjyshërit. Eglantina Gjermeni e kujton me nostalgji atë periudhë, që zgjati deri në moshën 6-vjeçare. Pjesa që vjen më pas, është me lëvizje, nga Lushnja e gjyshërve në Krujë ku punonin prindërit, pastaj në Tiranë ku transferohen prindërit, e rikthim sërish në Lushnjë pasi prindërit u caktuan në një ambasadë. Por Lushnja ishte edhe fati i saj në një aspekt tjetër, sepse pikërisht atje u njoh me të shoqin.
Politikania e re e PS, thotë se do të kish preferuar të studionte juridik, por kush pyeste asokohe në mes të vite e ’80 për dëshirat e të rinjve. Ndaj iu desh të pranonte të shkonte në shkollën ku e caktuan: Histori-gjeografi. Por edhe në këtë profesion nuk do të punonte, për shkak të emërimit të pafavorshëm që i bënë. Iu desh të përshtatej, dhe filloi punë në fakultet si sekretare. Ishte puna e një njeriu me shkollë të mesme, por ç’rëndësi kishte. Më vonë dhe paralelisht me punën, Eglantina Gjermeni do të bënte një kurs pasuniversitar të punës sociale, kur sapo ishte hapur fakulteti. “E bëra me shumë qejf,- thotë, - duke e parë si një sfidë për veten dhe duke kërkuar një fushë ku të ndihesha më mirë...”. Dhe dëshira iu shpërblye. Pas përfundimit konkurroi për pedagoge në departamentin e punës sociale dhe fitoi aty ku vazhdon dhe sot të japë mësime si e jashtme. Mësimdhënia mbetet një pasion shumë i fortë për të. Po, përtej anës profesionale, cila është jeta e Gjermenit?
Do të flasim për jetën tuaj private, për atë familjaren, ndaj do ta nisim nga njohja me bashkëshortin...
Me bashkëshortin u njoha në kohën kur kisha përfunduar gjimnazin dhe sapo do të nisja fakultetin. Isha në Lushnjë dhe aty jam takuar me Marjanin. Ai sapo kishte mbaruar fakultetin për ekonomik dhe i duhet të bënte praktikën, meqenëse dhe familjen e kishte në Lushnjë. Rastësia, mbreti i fatit, pasi edhe familja e tij, nuk ishte nga Lushnja, por ndodhej përkohësisht aty. Them se kemi qenë me fat që kemi gjetur njëri-tjetrin. Unë fillova fakultetin, ndërsa ai caktohet me punë në Kukës për katër vjet e gjysmë. Ndaj marrëdhënia në distancë kishte vështirësi. Por sigurisht gjenim mënyrat dhe ai vinte thuajse një herë në muaj e takoheshim, flisnim në telefon, sigurisht duhet të shkoje tek posta të bëje thirrje... Por edhe kjo kishte bukurinë e vetë dhe ne e kemi shijuar.
Më pas fejesa, martesa, fëmijët?
U fejuam në kohën që unë u diplomova. Edhe Marjani mbaroi punën në Kukës e në vitin 1992 nisi punë në Bankën e Shqipërisë. Në të njëjtin vit jemi martuar, ka qenë muaj maj, ndërkohë në 12 shtator lindi Eriku, djali, i cili tani është 17 vjeç. Unë isha shtatzënë gjatë kohës që u martuam, ndonëse atëherë ishte tabu e madhe kjo gjë. Pas 15 vjetësh kemi sjellë në jetë një vajzë të vogël që quhet Megi, ajo ka lindur në 29 janar 2007.
15 vite diferencë mes fëmijëve, pse ky vendim? Kishte arsye?
Kur ishte momenti për të menduar për një fëmijë tjetër, e shtyja se më dilte ndonjë punë tjetër...
Si e priti Eriku, ardhjen e motrës?
Megi është mrekulli. Eriku ishte në vit të parë kur lindi vajza dhe nuk është se e priti me ndonjë entuziazëm ardhjen e saj. Përkundrazi ishte i tërhequr, iu duk si çudi, mbase i vinte zor nga shokët. Por tani e adhuron motrën, kujdeset për të, e do shumë që në momentin që erdhi në jetë. Madje, kur i sheh të dy, të duket si çudi. Eriku, është i gjatë, i madh, ajo e vogël, por na ka ndryshuar jetën në kuptimin e ritmit, gjallërisë, energjisë, tërheqjes së vëmendjes...
Si e konsideroni veten si nënë?
Jam e dhimbsur, e kujdesshme, shumë e ndjeshme, mundohem t’i ofroj shumë dashuri e përkujdesje, madje ndonjëherë më duket se e teproj, sidomos me djalin që tani është adoleshent dhe nuk i do shumë përkujdesjet. Shpesh më thotë: ti ma’ bëhesh shumë merak. Ndonjëherë më duket se bëhem shumë mbrojtëse e mbase nuk i lë hapësirën e duhur, por nga ana tjetër jam kritike, strikte kur është pjesa për detyrimin, nuk toleroj!
Si janë pozicionuar rolet në familjen tuaj?
Në fakt nuk e shoh të ndarë pjesën e të qenit në familje, ku njëri merr përsipër gjithçka dhe tjetri asgjë. Ngaqë kam qenë e angazhuar shumë, kam frikë se i kam hyrë ca në hak familjes në kuptimin e përkujdesjes a vëmendjes së duhur në çdo moment. Kam një lloj ndjesie faji apo vrarje ndërgjegje se jo gjithmonë bëj maksimumin e asaj që dua, por them se e kompensoj me një gjë tjetër.
Kush kujdeset për vajzën tani që ju jeni e angazhuar në politikë? Kujt ia delegoni detyrimet familjare?
Nuk e kam çuar akoma në kopsht, duke qenë se nuk i ka mbushur akoma tre vjeç por do ta çoj shumë shpejt. Që nga momenti që ka lindur e deri tani e mban një teta, një dado në shtëpi dhe jemi mësuar me intensitetin tim të punës edhe më parë. Gjatë ditës e mban ajo, pasditeve kur unë kam angazhime, rri pak më gjatë ajo, vjen im shoq nga puna, tani që është më e rritur, shpeshherë vijnë dhe prindërit e mi, rijnë dy a tri orë me të, gjithmonë duhet një lloj balance dhe ekuilibri. Te pjesa e punës, unë isha munduar që pas lindjes së gocës t’i shmangja oraret e darkave, por si shmangja dot të gjitha, tani kam akoma më shumë dhe mundohem herë pas here të iki pak më vonë paradite.
Si e priti djali hyrjen tuaj në politikë?
Djali ka një natyrë që është i qetë dhe fjalëpak. Nuk them se nuk u çudit nga fakti që unë do të hyja në politikë dhe nuk është se ka shprehur ndonjë lloj entuziazmi të jem e sinqertë. Ndonjëherë më vjen për të qeshur se më pyet: kaq shpejt erdhe ti sot? Ose do kesh ndonjë punë tjetër pasdite, e sigurt që do ikësh... Duke qenë më i rritur flet më kollaj.
Po bashkëshorti?
Në fakt, pak a shumë e morëm bashkë vendimin. Të jem e sinqertë asnjëri nuk ishte shumë entuziast, diskutuam analizuam gjërat dhe për hir të natyrës që unë kam, për hir të faktit se si është politika në Shqipëri, emërtimet, agresivitetit, për hir të faktit që kemi dy fëmijë... kjo sërë arsyesh na drejtonin më shumë për ‘jo’ se sa për ‘po’. U mor një vendim, i cili ishte shumë i vështirë për ne dhe ndodh që herë pas here t’i rikthehemi dhe ta diskutojmë.
Si janë fundjavat tuaja tanimë?
Edhe para se të isha e angazhuar tek pjesa e politikës, të shtunat sidomos i kisha punë! Shpeshherë bënim trajnime, jashtë Tirane, ose jashtë shtetit, ndaj më është dashur që edhe week end-in të mos jem. Në momentin kur jemi bashkë është pak e vështirë t’i përputhim shijet tona me një djalë adoleshent dhe një vajzë të vogël. Tani është pak e vështirë, shpesh ngelemi vetëm me Megin se djali del me shokët, kur nuk jam në punë, dalim, bëjmë një drekë të mirë në shtëpi, duke qenë se më mungon gjatë javës.