E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fytyrë-pudrat

MIRA ZOTO 

Aty rreth mbasdites të së premtes, humori yt ndryshoi tërësisht. Në mënyrë të p a p a r a s h i k u e s h m e .
Megjithëse ti je gjithnjë kështu e “paparashikueshme”. Kjo është dhe gjendja jote normale. Hyn te salloni i Sofisë me një tufë letrash në dorë. I hedh një sy orës. Dhjetë pa një çerek. Përfundimisht nuk ke kohë të merresh me këto gjëra. Nuk ke kohë fare. Vetëm se është një seancë trajtimi dhuratë nga Sofia dhe nuk ke si ta refuzosh. Sofia është estetistja dhe parukieria jote, njëkohësisht dhe është shumë e shqetësuar për "gratë në karrierë". Sa herë të sheh së fundi, të rreh krahët dhe të shikon me një pamje të shqetësuar: "Duhet t'i kushtoni pak kohë vetes e dashur". Nëse sot nuk do të kishte qenë dita e fundit e skadencës së kuponit që të kanë dhuruar, ti nuk do të ishe këtu, po nejse. Fërkon me duar fytyrën tënde të dehidratuar dhe pi një gllënjkë kafe. Në moment e kuptove se pive nga filxhani ngjitur në tavolinë. Era e pudrës së fytyrës ta shpif. Ta shpif vërtet, por vetëm se nuk ke ku ta hedhësh dhe detyrohesh ta gëlltisësh me zor. Vetëm atëherë e kupton se kishe kaluar në stomak disa gllënjka nga kafeja e vajzës që Sofia e kishte caktuar të merrej me ty.
Fillojmë me një masazh çlodhës dhe qetësues. Mundohu të qetësohesh dhe të kthjellosh mendjen, - të thotë ajo. Nuk e di pse nuk paske qejf t'i mësosh emrin dhe mjaftohesh me një fytyrë-pudra.
Ajo të thotë të kthjellohesh, por ti je e kthjellët si kristali. Në fakt para se të fillojmë a ke ndonjë pyetje për të më bërë,- i thua e nevrikosur.
Po kam, - të përgjigjet. A mund të bëj një telefonatë? Dhe para se të marrë celularin fut dorën në çantë nxjerr një parfum bën një psssssssssss të gjatë në të dy sqetullat dhe pastaj nis telefonatën: "Alo zemër…"
(Nejse ajo ka lindur me fatin e madh që nuk mund të mendojë. Problemi i saj madhor është nëse kutia e pudrës do t'i mbaronte në fundjavë, atëherë kur dhe dyqanet janë të mbyllura. Kjo po, do të ishte një arsye e vërtetë për të mos shkuar në punë). 
Pa dale pa dale, fytyrë-pudra tha "Alo zemër!", qenka dhe e lidhur.
Nëse ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe, ti dhe shumë nga shoqet e tua do të kishit qenë të lidhura sot. Po nejse nuk ka nevojë për hollësira.
 Për ty kjo puna e të qenit e lidhur nuk është dhe fort e qartë. Njerëzit në fund të fundit duhet të kenë shenja dalluese, "i zënë", "i lirë", "e disponueshme për më shumë se një lidhje". Ç'të keqe ka? Njerëzit sot përdorin lloj-lloj tabelash. Tirana është bërë e madhe. Si mund të të qëllojë t'i dallosh njerëzit?
A të qëllon të gabosh ndonjëherë? - të pyet fytyrë-pudra.
Ohhh shpesh. - I thua gati me trishtim, - nuk më beson?
Si për shembull herën e fundit kur e takova atë person dhe nuk i thashë që sapo isha ndarë, - thua me veten tende.
-O, unë mendoj se një gabim mund të quhet i tillë vetëm nëse nuk arrin ta ndreqësh, - dhe ndërsa të thotë këto t'i ka ngulur sytë e saj të suvatuar shtresa-shtresa.

PAS SOFIES
Pastaj të qëlloi që u nise për një fundjavë të shkurtër jashtë Tirane. Po shihje vërdallë në pazh. Klientela gjatë paraditeve të fundjavës është zakonisht familjare: karroca që shtyhen nga nëna të reja, mama më të vjetra në karrierë, burra që ndjekin me përtesë familjen nga mbrapa. Njerëz të zakonshëm, të gjithë ne, pak a shumë. Sheh kofshë pak të shëndosha, barqe të lëshuara, gjokse që kanë bërë detyrën e vet dhe si pasojë janë më pak të tonifikuar. Pastaj t'u kujtua fytyrë-pudra te parukieria e Sofisë (dhe jo vetëm) ideja e saj për të qenë sexy, kudo dhe kurdo. Pse, të sajohesh si porno-star, qenka sexy?  Pastaj dhe imazhet që na vijnë nga ekrani i vogël, buzëkukulla të superfryra, që shohim çdo të diel, mollëza të deformuara, hundë si të prera me gërshërë. Me thënë të drejtën dhe ti për një kohë të gjatë ke menduar të ribësh gjoksin (nuk e bëre vetëm se kishe frikë), pastaj doje të fshije si me magji nja dy rrudha të vogla që të kishin dalë në ballë (por nuk bëre asnjëherë botox). Që të jemi të qartë, nuk të shqetëson fakti që një femër do të duket më mirë, të bjerë në sy, të bëhet e dëshirueshme. Thjesht pyet çfarë quhet "e bukur" dhe "ndjellëse" në këto kohë? Fytyrë-pudra?!!!!!! A nuk e keni njohur të gjithë një të tillë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›