Vasilika Hysi - Jam grua e brishtë
Mbërrin në
takim, ko
rrekte në
orar.
Flokët e krehur çrregullt, të fryrë paksa duket se i shkojnë më shumë se krehja drejt me baluke mbi sy, staturë me të cilën e kemi parë shpesh... Është gati për një udhëtim drejt Shkodrës. Një takim politik e pret... Pantallonat e zeza që i zbulojnë kaviljen, kombinuar këndshëm me trikon dhe shallin ngjyrë vishnjë në rozë, me xhaketën përsipër sjellin një pamje korrekte të saj. Eshtë e qeshur, e sinqertë, e drejtpërdrejtë, paçka se brenda vetes mund të bluhen mjaft mendime, si do të shkojnë gjërat, filli i politikës, familja, dreka... Nuk është modeli i politikaneve femra, që në shtëpi kanë një shërbyese, që iu pastron e gatuan... Jo. Para se të vinte në takim, ka përgatitur më parë drekën, ka kryer çdo punë të mundshme për të vijuar me çka e pret gjatë ditës. Është Vasilika Hysi, e njohur si drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe sot, deputetja e re e Partisë Socialiste për Tiranën, vendos të na rrëfejë për jetën e saj, atë privaten, për familjen, vajzën dhe bashkëshortin, për fëmijërinë, adoleshencën dhe vlerësimet që ka marrë në shkollë...
* * *
Është lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje me dy prindër që i përkasin minoritetit grek në Shqipëri, me një vëlla dhe një motër. Nuk mund të thotë se ka qenë e përkëdhelura e prindërve, ndryshe nga dy fëmijët e tjerë. Thjesht ka pasur një fëmijëri të qetë: ku shkonte në shkollë, merrte pjesë në veprimtari që organizoheshin në të, ndiqe kurse jashtëshkollore, kryesisht në shkencat ekzakte dhe kurse të organizuara në Pallatin e Pionierit. Dhe veten mund ta përkufizojë: një fëmijë që ulej dhe mësonte shumë. “Adoleshenca ka qenë shumë e mirë, deri në momentin kur vëllai im i vetëm humb jetën në një aksident automobilistik dhe rrjedha e jetës sime mori drejtim tek përfundimi i studimeve të shkollës së mesme, te përkujdesja për motrën e vogël dhe më shumë vëmendje për prindërit e mi. Fati më bëri, të përballem me një situate të vështirë në familje, por që më rriti dhe më aftësoi me shpejt se moshatarët e mi”, tregon Hysi. Kjo kohë i përkon edhe me marrjen e “medaljes së artë” në shkollën “Qemal Stafa”. Sapo kishte nisur studimet për drejtësi, kur në gjimnazin ku kishte studiuar u organizua ceremonia modeste për dhënien e medaljeve të arta.
“Në atë kohë, në familjen time nuk kishte ende gëzime, pas fatkeqësisë që i kishte rënë. Por unë u gëzova. Ishte një vlerësim punës dhe rezultateve të arritura, por mbi të gjitha më gëzonte fakti se vija nga një familje e thjeshtë dhe jo e nomenklaturës së asaj kohe. Medaljen ia kushtoj tim vëllai dhe prindërve të mi, që bënë më të mirën për mua”, vazhdon rrëfimin e saj Hysi.
* * *
Por ndryshe nga një juriste, ëndrra e saj vazhdon të mbetet mjekësia. “Kisha mundësi që të vazhdoja studimet për mjekësi, pasi “Medalja e artë” mundësonte zgjedhjen e degës. Fakti që vëllai im humbi jetën edhe nga pakujdesia e treguar nga mjekët në trajtimin e tij pas aksidentit dhe se hetimi penal për aksidentin u mbyll me një “falje” mes viktimës dhe autorit, vendosa të mos studioja për mjekësi, duke përmbushur dëshirën e prindërve të mi. Përfundimisht, studiova për drejtësi dhe më pas u specializova në drejtësinë penale dhe atë të së miturve”, tregon Vasilika zgjedhjen për rrugën e jetës. Megjithatë, as politikëbërja nuk është se i kish shkuar ndonjëherë ndër mend. Tani që i ka hyrë me këmbë e ndjen se sa e fortë duhet të jesh për të. Jo se nuk është, por më shumë se sa një politikane, ajo është një njeri i brishtë, që i vuan shumë gjërat. “Jam e brishtë dhe nuk jam ajo femra e fortë që nuk dua t’ia dijë dhe bëj sikur nuk shikoj dhe ndjej. Mendoj se klasa politike ka nevojë për brishtësi, humanizëm, sjellje dhe aksione që kanë përkushtim dhe dëshirë për të zgjidhur problemet me të cilat përballen shumë njerëz sot. Nuk do të doja të isha një politikane që të mos ndjeja shqetësimet që ka sot shoqëria dhe politika”, shpjegon ajo teksa kujton takimet elektorale, njerëzit që e përgëzonin, e uronin dhe i jepnin zemër...
* * *
Sot është nëna e një vajze, që njëkohësisht është edhe kolege e saj. Quhet Klesta, një emër ilir, të cilin e zgjodhën të dy me bashkëshortin. Punon si pedagoge në të njëjtin fakultet, por në fusha të ndryshme. “Në aspektin profesional është e pavarur, por sikurse unë, ajo është shumë e ndjeshme për problemet e fëmijëve dhe kontribuon për një trajtim më të mirë të tyre. Bashkë diskutojmë më shumë për probleme të tilla, sesa për mësimdhënien. Dhe ndihem mirë që pëlqen mësimdhënien dhe është e ndjeshme ndaj problemeve sociale që kanë studentët e ardhur nga rrethet ose fëmijët në nevojë”, thotë Hysi. Por duket se shpesh e përshkon një ndjenjë faji. Angazhimi i tanishëm politikë, më parë puna në Komitetin Shqiptar të Helsinkit duket sikur e kanë privuar nga përkushtimi që duhej t’i jepte gocës. “Sforcohem shumë edhe tani që angazhimi politik të mos më pengojë në jetën familjare, t’i përkushtohem vajzës, megjithëse ajo u rrit dhe është e zonja e vetes. I jam borxhlie asaj, që më shumë jam kujdesur për problemet e të tjerëve sesa për të. Shpresoj që borxhin t’ia kthej në një mënyrë ose në një tjetër”, thotë Vasilika. Por familjen e ka ngritur që 25 vjet më parë dhe tani gjithçka është e konsoliduar dhe e fortë. “Jam njohur me tim shoq, Engjëllin në vitin 1982. Ishim të rinj dhe bënim shumë për njëri-tjetrin. Fejesa ka qenë periudhë shumë e bukur dhe pa preokupime, ndërsa martesa ndonëse e bukur, pati angazhime të tjera për mua, krijimi i një familje të re, më pas erdhi fëmija, unë isha ende pedagoge e re në fakultet dhe përgatitesha për të mbrojtur disertacionin për marrjen e gradës shkencore. Megjithatë, kam qenë dhe jam me fat që familja është shumë e mirë dhe megjithë angazhimet e të tre pjesëtarëve gjejmë kohë të gëzohemi”, thotë Hysi.
* * *
Tani më shumë se më parë nuk gjen shumë kohë të lirë, për pak libra, gatimin që e ka aq shumë për zemër apo pse jo për filma e argëtime të tjera. “Fusha ku unë jam e specializuar njeh zhvillime të vrullshme dhe unë duhet t’i ndjek ato. Nuk është e lehtë që nga Shqipëria dhe me mbështetjen që i jepet punës shkencore në universitetin publik të arrish të sigurosh informacionet e reja në kohë. Kështu, më duhet shumë punë dhe kohë. Nuk shoh shumë televizor. Shopping-un e kam terapi ndaj stresit dhe formë çlodhjeje, por jo shpesh ndodh. Ama si amvisë, gjej gjithnjë kohë dhe them se jam shumë e mirë. Duke qenë se kam pasur dëshirë të bëhesha mjeke, kam parasysh që një trup i shëndetshëm kërkon një ushqim të shëndetshëm. Këtë postulat e mbaj parasysh çdo ditë”, përfundon Vasilika Hysi.