Aksident te Drejtoria e Policisë, bie në Lanë makina e studentes
TIRANE – Një makinë ka përfunduar mbrëmë në Lanë, si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesja e mjetit. Lajmin e bëjnë të ditur burime të policisë së kryeqytetit, sipas të cilave, aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:00, kur mjeti tip “Opel Astra”, që drejtohej nga një vajzë, ka dalë nga rruga dhe pasi ka rrëshqitur në skrapatën e gjelbëruar të lumit dhe më pas në beton, ka përfunduar në ujë. Me të shpejtë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së kryeqytetit, të cilët kanë nxjerrë drejtuesen e mjetit, e cila kishte pësuar dëmtime të lehta. Paraprakisht policia pohoi mbrëmë se drejtuesja e mjetit ishte studente në një nga Universitetet e Tiranës, dhe në momentin e aksidentit ishte duke lëvizur në bulevardin “Zhan d’Ark”. Pranë Ministrisë së Jashtme drejtuesja ka humbur kontrollin dhe mjeti i saj ka përfunduar në Lanë, por nga shpejtësia është ngjitur në anën tjetër të Lanës, duke u ngjitur sërish mbi betonin që ndodhet në anën e Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë. Fatmirësisht aksidenti nuk ka sjellë pasoja të rënda, pasi drejtuesja dhe makina kanë pësuar pak dëmtime, megjithëse ka dalë nga rruga dhe ka kaluar edhe tabanin e betontë të lumit Lanë. Paraprakisht policia ka dalë në konkluzionin se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia me të cilën lëvizte mjeti, pasi sipas ekspertëve të vendngjarjes makina ecte shumë shpejt, ndërsa një manovër e drejtueses ka bërë që të dilte nga rruga dhe të rrëshqiste majtas. f.m.