Ekipi i FMN-se ne Athine per rimekembjen ekonomike
ATHINE- Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, po bëhet gati të shqyrtojë sot në Athinë, me kërkesën e autoriteteve greke, një asistencë të mundshme teknike për të ndihmuar në rimëkëmbjen e financave publike të vendit, njoftoi Ministria e Financave. "Misioni mbërriti dhe do të takohet me ministrin e Financave Jorgos Papakonstantinu", i bëri të ditur AFP-së një burim i ministrisë. "Misioni përbëhet nga pesë zyrtarë të FMN-së të cilët do të qëndrojnë një javë në Greqi", shtoi i njëjti burim. "Ekipi do të takohet me agjenci të tjera ministrore, por nuk do të bëjë deklarata për shtyp", bëri të ditur ky burim. FMN-ja ka njoftuar të hënën se misioni do të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve greke, mundësinë e një ndihme teknike të FMN-së për reformën e pensioneve, politikën fiskale, administrata fiskale dhe administrimin e buxhetit. Fondi ka theksuar se ky mision përfshihet në kuadrin e mbikëqyrjes së zakonshme që FMN-ja u bën shteteve anëtare. FMN-ja nuk ka përmendur një ndihmë financiare për Greqinë. Ministria greke nuk ka përmendur një ndihmë financiare për Greqinë. Ajo është shprehur se nuk parashikohet perspektiva për një hua të FMN-së për Greqinë. Ekspertë të Komisionit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane vizituan javën e kaluar Greqinë për të analizuar gjendjen e financave publike të vendit. Shqetësimet për nivelin e borxhit publik grek, që e kaloi në vitin 2009 pragun e 100 për qindëshit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas parashikimeve të FMN-së, janë shtuar që prej disa muajve.(s.g/ATSH/BalkanWeb)