Sejdiu në USA: Kosova garanton siguri për investuesit e huaj
SAN FRANCISKO- Presidenti i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu mbajti dje një ligjëratë para anëtarëve të ëorld Affairs Council në San Francisko të SHBA nga ku deklaroi se institucionet e Kosovës janë të organizuara dhe garanci e fuqishme që investuesit ndërkombëtarë të futen në tregun kosovar. Presidenti Sejdiu pasi shprehu kënaqësinë që flet si Presidenti i parë i Republikës së Kosovës së pavarur, për sukseset dhe sfidat, fillimisht theksoi se Dita e Pavarësisë është data më sublime, më madhështore në historinë e një vendi. "E tillë është ajo edhe për vendin tim, i cili arriti ta jetësojë ëndrrën e vet për të qenë i lirë dhe i pavarur pas një shekulli të rëndë të sundimit brutal nga Serbia". Ndërkaq, duke folur për periudhën gati dyvjeçare të funksionimit të vendit tonë si shtet i pavarur dhe sovran, Presidenti Sejdiu theksoi se "Republika e Kosovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme", duke shtuar se janë demantuar të gjithë ata që thoshin se pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë rajonin. Përkundrazi, tha ai, pavarësia e Kosovës i ka sjellë paqe dhe stabilitet rajonit, meqenëse të gjitha shtetet tona fqinje, me përjashtim të Serbisë, e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me këto vende. "Pra, pavarësia e Kosovës po dëshmohet si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në Evropën Juglindore, kështu që kundërshtuesit e saj përfundimisht duhet të heqin dorë nga pengimi i përpjekjeve tona për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie". Pasi foli për rezultatet e arritura në planin ekonomik, ai tha se procesi i privatizimit ka ecur mirë, ndërsa më 2009, Kosova u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore dhe kjo paraqet një sukses më vete. Presidenti tha se institucionet e Kosovës japin garanci të fuqishme që investuesit ndërkombëtarë të futen në tregun kosovar, i cili, siç tha, është mjaft atraktiv dhe u garanton atyre investime dhe profit të suksesshëm. Ndërsa për qytetarët kosovarë tha se kanë një shpirt dinamik ndërmarrës dhe janë mjaft të shkathtë në ekonominë e vogël. Ai rikujtoi se për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës punuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre atdhetarë tanë të nderuar të shumë brezave që populli i Kosovës të jetë i barabartë në familjen e kombeve të lira të botës demokratike. Presidenti Sejdiu theksoi se megjithëse vuajtjet e popullit kosovar ishin të mëdha, plani i Millosheviqit dështoi, sepse NATO ja ndërhyri ushtarakisht dhe i dëboi ushtarët dhe paramilitarët serbë nga Kosova. Ai vlerësoi se ndërhyrja e NATO s në Kosovë është një rast unik jo vetëm në historinë e kësaj aleance, por në historinë njerëzore përgjithësisht, pasi që ishte ndërhyrja e parë që bëhej për qëllime humane, për shpëtimin e një populli nga shfarosja fizike. Duke folur për peridhën e pasluftës, Presidenti Sejdiu tha se u ngritën institucionet demokratike të Kosovës, u formuan Policia e Kosovës dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat dhanë kontribut me vlerë në rimëkëmbjen e jetës në Kosovë. Ndonëse ka zgjatur më tepër sesa ishte planifikuar, ai tha se misioni civil ndërkombëtar në Kosovë, UNMIK u, ka qenë një rrëfim i mirë i investimit ndërkombëtar në Kosovë. Në vijim të fjalës së tij Presidenti Sejdiu tha se ndonëse Kosova nuk mund të harrojë atë çka ka ndodhur në të kaluarën, megjithatë, siç tha, "ka vendosur ta mbyllë atë kapitull dhe të kthehet nga e ardhmja për të mirën e gjeneratave të ardhshme". “Herët a vonë, Serbia do të pajtohet me faktin se Kosovë është shtet më vete, sovran dhe i pavarur, dhe do të heqë dorë nga veprimet që e minojnë ardhmërinë e të gjithë popujve të rajonit. Realiteti i Kosovës së pavarur nuk mund të ndryshojë dhe ora nuk mund të kthehet prapa", tha Presidenti Sejdiu duke iu drejtuar të pranishmëve. Në fund të fjalës së tij Presidenti Sejdiu nënvizoi se Republika e Kosovës "është e vendosur të arrijë në cakun e saj final" dhe që të "integrohet sa më parë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, duke e ruajtur dhe duke e kultivuar me xhelozi miqësinë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës". (d.b/BalkanWeb)