Ekipi i Olimpiadës

Ndërkohë, uebfaqja goal.com e ka zgjedhur ekipin më të mirë të Olimpiadës. Dhe, ishte e drejtë të fillohet me portierin meksikan Jose Corona, i cili e formoi bazën e ekipit veri-amerikan. Edhe pse në moshë më të shtyrë se shokët e skuadrës, Corona shfaqi reflekse të jaashtëzakonshme, duke bërë pritje vendimtare.
Mbrojtja përbëhet nga aziatikët, me Maya Yoshida nga Japonia, që pati paraqitje të mira. Pastaj Suk-Young Yoon, i cili e ndihmoi Korenë e Jugut që ta fitojë medaljen e bronztë. Britania e Madhe ngushëllohet me mbrojtësin Steven Caulker, i cili pati paraqitje të mira, për dallim nga shokët e tij, kurse reparti defanziv kompletohet me brazilianin Danilo.
Ki Sung-Yueng nga Koreja e Jugut ishte lojtari adekuat për t’u vendosur në mesfushë, përpara mbrojtësve. Ndërkaq, përforcimi i ri i Chelseat, Oscar ishte organizatori i lojës së Brazilit dhe gjendet në qendër të mesfushës, së bashku me meksikanin Giovani dos Santos, i cili, edhe pse mungoi në finale, dha kontribut të çmueshëm në suksesin e ekipit të tij. Krahas tyre, një vend në mesfushë e meriton edhe japonezi Yuki Otsu.
Në sulm, kontributi i Leandro Damiaos me Brazilin ishte i pamohueshëm. Ai realizoi 6 gola dhe kontribuoi në fazën defanzive. Përkrah tij gjendet Moussa Konate, që ishte inspirim për Senegalin.
Formacioni i plotë
Portier: Jose Corona
Mbrojtës: Maya Yoshida, Suk-Young Yoon, Steven Caulker, Danilo
Mesfushorë: Ki Sung-Yueng, Oscar, Giovani dos Santos, Yuki Otsu
Sulmues: Leandro Damiao, Moussa Konate