E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat po shtohen

Në listën më të re të revistës Forbes të shkrimtarëve më të paguar, prej 15 autorëve gjashtë janë femra. Ato vetëm sa vijnë duke u shtuar dhe duke parë ecuritë e shitjeve të librave të tyre, shumë shpejt ndonjëra prej tyre mund të kryesojë listën.

Ruaje shpinën, James Patterson. Fli me njërin sy hapur, Stephen King. Burrat ende e kryesojnë listën e shkrimtarëve më të paguar në botë, por këtë herë janë femrat në listë, të cilat kanë bërë lëvizjet më të spikatura, të udhëhequra nga trioja e fenomeneve zhanrore: Suzanne Collins, E.L. James dhe J.K. Rowling.

Revista e njohur Forbes, në edicionin e saj të ri ka bërë përzgjedhjen e 15 shkrimtarëve më të paguar të këtij viti, ndër të cilët gjashtë janë femra.

Me 20 milionë fitime, pothuajse të gjitha nga shitjet e librave të saj nga seria “Hunger Games”, shkrimtarja Suzanne Collins nuk ia ka arritur për pak të futet në edicionin e fundit të ‘Forbes Celebrity 100’. Por kjo ka ndodhur vetëm për shkak se ajo ende nuk e kishte parë pjesën e plotë të të ardhurave nga filmi i parë “Hunger Games”.

Filmi i Lionsgate, në të cilin luan aktorja Jennifer Lawrence, e ka shijuar hapjen e tretë më të madhe të vikendit të bërë ndonjëherë. Deri më sot, ka grumbulluar më shumë se 650 milionë dollarë nëpër tërë botën.

Të ardhurat e Collins nga kjo besohet të jenë mbi pesë milionë dollarë, duke mos përfshirë 1.5 milion që ajo ka marrë për të drejtat autoriale. Kjo shumë do të rritet edhe më shumë me shitjet e DVD-ve, të lëshuara në këtë muaj.

Dhe shpërthimi vetëm sa ecën përpara: versioni teatral i “Catching Fire,” i pari prej dy vazhdimeve, është vendosur të dalë në vitin e ardhshëm.

Librat e serisë “Hunger Games” janë shitur në më shumë se 9 milionë kopje në vitin 2011 dhe shitjet morën një shtytje të freskët këtë vit nga lëshimi i filmit, por ato nuk janë trilogjia e këtij viti. Ky nder shkon te seria “Fifty Shades of Grey”, që u shit në 20 milionë kopje në katër muajt e parë të botimit.

Në lartësitë e manisë së quajtur “Fifty Shades”, romanet erotike është paraparë të sjellin rreth 1.3 milion dollarë në javë për autoren e tyre, E.L. James. Dhe kjo pa i numëruar 5 milionë dollarë që i ka marrë nga Universal Pictures dhe Focus Films për të drejtat kinematografike. Kur i shtohen të gjitha atëherë autores James do t’i sigurohet një vend afër kreut të listës së vitit të ardhshëm.

Zhanri fiktiv dhe për të rinjtë janë qartë aty ku janë edhe paratë. Por një autore që ka pushtuar këto sfera është J.K. Rowling, autorja e serive “Harry Potter” dhe shkrimtarja e parë femër që është bërë miliardere.

Në shtator, shtëpia botuese ‘Little, Brown’ do të botojë “The Casual Vacancy”, romanin e parë për të rritur të Rowling. Ajo ka marrë 8 milionë dollarë si paradhënie për librin.

Kjo ka ndihmuar që ajo të gjejë një mënyrë të re për të fituar nga librat ‘Potter’, duke shitur kopje nëpërmjet librarisë online, ‘Pottermore’. Ndryshe prej shumicës së autorëve, Rowling kurrë nuk ka nënshkruar për të drejtat digjitale për librat e saj.

Shumica e emrave në listën e këtij viti të top shkrimtarëve janë të njohur, nga James Patterson e teposhtë. Mjeshtri i trilerit këtë vit ka fituar rreth 94 milionë dollarë. Pas tij është Stephen King (39 milionë dollarë), Janet Evanovich (33 milionë dollarë), John Grisham (26 milionë dollarë), Jeff Kinney (25 milionë dollarë), Nora Roberts (23 milionë dollarë) dhe Danielle Steel (23 milionë dollarë).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›