E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tojota prezanton makinën TF109

Fitorja e parë në histori e një Çmimi të Madh. Ky është objektivi i Tojotës TF109 për Botërorin 2009 në Formula 1. Ashtu siç bëri edhe Ferrari në fillim të kësaj jave, edhe prodhuesi japonez e prezantoi njëvendëshen e re në internet. Edhe për sezonin e ri, pilotët e Tojotës do të jenë italiani Jarno Truli dhe gjermani Timo Glok. Ndryshimi në makinën e këtij viti, nga ajo që u klasifikua e pesta mes konstruktorëve në vitin 2008, është pjesa e përparme më e gjerë dhe ajo e prapme më e ngushtë. "Do të garojmë për të arritur triumfin tonë të parë në Formula 1", deklaroi pronari Tadashi Jamashina, i cili duket i bindur për kualitetin e pilotëve të tij. "Kemi në dispozicion dy prej pilotëve më të mirë në botë. Vitin e kaluar ata dhe makina ishin mjaft konkurrues edhe përballë skuderive më të forta". Për shkak të krizës botërore, në edicionin e ardhshëm edhe buxheti i Tojotës, e cila do të regjistrojë sezonin e tetë në këtë garë, do të jetë i reduktuar. Debutimi i TF109 është parashikuar të hënën, më 19 janar, në cirkuitin portugez të Algarves. Ndërkohë, edhe Truli ka përcaktuar objektivat: "Fitorja në gjashtë garat e para mund të jetë vendimtare për të ardhmen. Pres që makina të jetë edhe më konkurruese, por nuk mund të them asgjë më shumë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›