Eklipsi i shekullit, zgjati 6 minuta e 39 sekonda
Azia është zhytyr në errësirë për shkak të eklipsit te diellit, më i gjati në kohë për shekullin e 21-të. Kjo ngjarje është vëzhguar nga miliona njerëz në të gjithë kontinentin. Që nga fshatrat e Indisë në metropolin e Dhangait, në brigjet lindore të Kinës, banorët kanë vëzhguar, kanë kërcyer e dëfryes duke shoqëruar me thirrje e duartrokitje zhdukjen dhe më pas rishfaqjen e diellit. Fenomeni nuk do të përsëritet sërish të paktën pas 120 vjetësh. Një eklips i plotë i Diellit filloi të mërkurën përgjatë një pjesë të ngushtë të Azisë, ku qindra miliona njerëz shikonin errësimin e qiellit, pavarësisht reve të dendura verore. Eklipsi i plotë më i gjatë i shekullit XXI mund të shikohej përgjatë një korridori rreth 250 kilometër të gjerë, sipas agjencisë hapësinore amerikane NASA, ndërsa përfshiu pothuajse gjysmën e globit dhe kaloi përmes dy vendeve më të populluara të botës, Indisë dhe Kinës. Mijëra persona kaluan nëpër shtigjet dhe rrugicat e ngushta të qytetit antik të shenjtë Hindu, Varanasi, dhe u mblodhën për t'u zhytur në lumin Gang, një veprim që konsiderohet si rruga e shpëtimit nga cikli i jetës dhe vdekjes. Përmes këngëve dhe himneve hindu, burra, gra dhe fëmijë hynin në lumë me duar të mbledhura dhe i luteshin Diellit që zhdukej në qiellin e errësuar. Eklipsi kaloi përmes Bangladeshit, Nepalit, Butanit, Birmanisë dhe përmes qyteteve të mbipopulluara përgjatë lumit kinez Yance, para se t'i drejtohej Paqësorit. Por personat që shikonin eklipsin përgjatë Kinës Qendore ishin më me fat se ata në qytetet bregdetare pranë Shanghait, ku qielli me re dhe në disa vende edhe reshjet e shiut nuk lejuan që të shikohej eklipsi. Në Shangai, metropolin kinez që u konsiderua një ndër pozicionet më të mira të vëzhgimit, festa është ndërprerë për pak çaste nga retë që mbuluan qiellin. Ndërkaq një person ka humbur jetën, ndërsa rreth 20 të tjerë janë plagosur në situatën e krijuar në Varanasi (Indi), ndërmjet turmës që kërkonte të shikonte më nga afër eklipsin. Eklipsi i plotë i Diellit ndodh kur Hëna lëviz ndërmjet Diellit dhe Tokës duke bllokuar dritën e Diellit dhe hija e Hënës bie në disa pjesë të globit. Pa dritën e Diellit qielli errësohet aq sa të lejon të shohësh yjet dhe kurora e Diellit formon një aureolë spektakolare rreth Hënës. Eklipsi i parë diellor i dokumentuar daton në vitin 753 para erës sonë në Asiri, por shenja më të hershme të këtij fenomeni gjenden në pyetjet e hyjnive kineze nga viti 1300 deri në vitin 1100 para erës sonë, që qartësisht u referohen eklipseve. Eklipsi i radhës, kur Hëna kalon qendrën e Diellit, por nuk e mbulon plotësisht atë, do të ndodhë më 15 janar të vitit 2010 dhe mund të shihet në Afrikën Qendrore, Indi, Bangladesh, Birmani dhe Kinë. Nga eklipsi diellor i së martës, shumë vende e kanë parë atë në mënyrë të pjesshmë. Studiuesit shpresojnë se kohëzgjatja e eklipsit do t'i ndihmojë ata që zbulojnë më shumë për gazet që rrethojnë diellin.