E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ekonomia Botërore”, Topi në OKB: Dhe Shqipëria nën ndikimin e krizës

TIRANE-Presidenti Bamir Topi bëri të ditur sot në Debatin e Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB për ‘Gjendjen e Ekonomisë Botërore’ se, edhe Shqipëria ka nisur të ndjejë ndikimin e krizës në ekonominë e saj.

“Si rezultat i ndikimit të efekteve të tregjeve financiare, tregtisë, investimeve dhe remitancave edhe në një vend më pak të integruar në ekonominë rajonale dhe botërore siç është Shqipëria, tashmë vihet re ndikimi i krizës pavarësisht se rritja ekonomike e saj ishte më e madhe se sa në vendet e tjera në rajon”. 

Duke folur në emër në emër të Shtetit shqiptar, Presidenti Topi përcolli disa mendime modeste në lidhje me gjendjen ekonomike të krijuar nga kriza financiare dhe ekonomike. Sipas Topit, kjo krizë vërtetoi se asnjë vend nuk ishte i imunizuar prej ndikimit të saj.
"Kombinimi i çmimeve të larta të naftës dhe mallrave, trazirat, tërmetet dhe cunamet, krizat e borxhit dhe problemet fiskale kanë çuar në rritjen masive të riskut të kundërt. Nga pikëpamja ekonomike, vende me peshë të madhe në ekonominë botërore nuk janë në ritmet e tyre karakteristike. Madje janë përjetuar rënie të mprehta dhe në tregje me rritje më të shpejtë, si dhe në vende të orientuara drejt eksporteve.
Një gjendje e tillë ka bërë që politikanët, menaxherët dhe ekspertët të mos jenë aq të sigurt nga sa ishin më parë, për arsye se pasojat e krizës financiare dhe ekonomike kanë ekspozuar haptazi dobësinë e zbatimit të teorive dhe politikave ekonomike”.

Më tej Presidenti shqiptar theksoi bindjen se kriza do të kapërcehet.
“Edhe pse disi i zgjatur në kohë, kam bindjen se kapërcimi i krizës do të jetë një zgjidhje e radhës, ndërsa parandalimi i krizave në të ardhmen, natyrisht, do të kërkojë gjithnjë e më shumë zhvillimin dhe përsosjen e institucioneve të ekonomisë së globalizuar”. 

Kreu i shtetit shqiptar theksoi se gjatë një kohe krize miratohen rregulla, por me to duhet patur kujdes sepse më pas lejohen hapësira për mashtrim.
“Rregullat që miratohen gjatë zhvillimit të një krize, duhet të përpunohen më tej në mënyrë të hollësishme, sepse çdo rregull ka afatin e vet të skadencës; rregullat e reja duhet të përfshijnë më shumë rregullatorë, që të shmanget refuzimi i një rregullatori të vetëm për të marrë përsipër përgjegjësinë e rreziqeve dhe përpjekjet për të siguruar garanci për secilin variant të mundshëm të rezultatit negativ, duke rritur kostot e mbikëqyrjes.

Sektori që kërkon vëmendjen më të madhe në lidhje me ndërhyrjen është lufta kundër mashtrimeve, gjë që kërkon më tepër fonde për krijimin e rregullave të reja që ndihmojnë në forcimin e ligjshmërisë për të luftuar dhe shmangur praktikat e mashtrimit dhe të korrupsionit politik, pasi miratimi “pas dasme” i ligjeve dhe rregullave të reja për të luftuar dështimet dhe gabimet do të ishte një humbje kohe e konsiderueshme dhe një kosto e tepër e lartë për korrigjimin e gabimeve”.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera FJALA E PLOTE E TOPIT NE OKB

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›