E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, zbulohen 4 varre të herëshme në kalanë “Rozafa”

SHKODËR- Gërmimet arkeologjike të rifilluara pas 30 vjet ndërprerjesh, përmes një projekti bashkëpunimi me arkeologët polakë, në mjediset e kalasë “Rozafa”, në Shkodër, kanë nxjerrë në dritë 4 varre të hershme, të cilat mendohet se i përkasin shekullit të XVI-të.

Saimir Shpuza, arkeolog në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, i cili po drejton punimet e kësaj faze, në krye të një grupi prej dhjetë arkelologësh, shqiptarë dhe polakë, thanë se, “gërmimet janë përqëndruar në dy zona, atë të Tabakëve, poshtë kalasë, buzë lumit Drin dhe sipër, në oborret e kalasë së lashtë të qytetit verior.

“Risi e gërmimeve të ditës së sotme ishte zbulimi i disa varreve të hershme, të cilat mendohet se i përkasin shekullit të XVI-të.”, thotë Shpuza. Më saktësisht, tha ai, kjo do të përcaktohet pas analizave të kryera në Institutin e Arkeologjisë.

Gjetja e kufomave, në një thellësi rreth dy metra nga sipërfaqja, tregon se ashtu sikurse është deklaruar edhe më parë nga historianët dhe specialistët e arkeologjisë, zona në fjalë pritet të nxjerrë në pah vlera të mëdha historike.

Sipas Shpuzës, shenjat janë prejtuese, por duhet thënë se është akoma herët, sepse punimet janë në fillimet e tyre. “Aktualisht jemi akoma në punimet e periudhës së gjurmëve otomane, ndërkohë që në vazhdim do të zbresim më poshtë, duke u ballafaquar me periudhat veneciane, për të vijuar me ato mesjetare, antike, iliret, si dhe të tjera të periudhave të mëhershme që e kanë shoqëruar në vite nëtë rajon”, nënvizon arkeologu Shpuza.

Grupi i ekspedites shqiptaro-polake do të vijojë të qëndrojë në Shkodër deri me datë 6 qershor. Pjesë e grupeve arkeologjike, krahas arkeologëve me përvojë nga Shqipëria dhe Polonia, janë edhe disa studentë të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, të cilët do të vijojnë të kryejnë gërmime jo vetem në mjediset e kalasë , por në përgjithësi në të gjithë territorin e parkut Arkeologjik të Shkodrës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›