E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, besojmë FMN, apo Berishën

Para disa javësh, nga salla e mbledhjeve të qeverisë, gjatë miratimit të buxhetit afatmesëm të shtetit shqiptar, u premtua nga goja e vetë kryeministrit se “në fund të vitit 2013, pensionet e pensionistëve shqiptarë do të kalojnë ato të të paktën dy vendeve të Bashkimit Europian”. Pra disa ditësh, i njëjti personazh na dha sihariqin se nuk ka vend të dytë si ne për sa i përket zhvillimit ekonomik, ndaj nuk na mbetet tjetër veçse ta besojmë atë që na tha para disa javësh.
Gati dy vjet përpara, gjatë fushatës elektorale të 2009-ës, kryetarja e atëhershme dhe e tanishme e parlamentit, nga studioja e një televizioni kombëtar, në një intervistë tek e tek i deklaronte moderatorit të emisionit se “gjatë periudhës 2005-2009, kohë kur qeveriste forca e saj politike, të ardhurat për frymë shqiptarëve kishin kaluar ato të dy vendeve të BE-së”.
Në sy të mijëra shqiptarëve që ndiqnin spikeren para dy vjetësh dhe dëgjuan kryeministrin para ca javësh, këta funksionarë, që në botën e qytetëruar janë pika referimi të informacionit të vërtetë dhe saktësisht të kontrolluar, për fatkeqësinë tonë, gënjenin.
Sipas të dhënave të BB, FMN dhe ato të CIA-s, që të gjitha lehtësisht të verifikueshme në internet, vendi i fundit i BE-së për nga të ardhurat për frymë, si para dy vjetësh, ashtu edhe tani, është Rumania me 10.200 dollarë për person. Ndërsa shqiptarët e kanë rreth 4.000 dollarë për frymë, që ashtu si para 100, 50 dhe 20 vjetësh, rezulton të mbajnë ende të mbërthyer etiketën e vendit më të varfër në Europë, dhe të kenë të ardhura më të ulëta se mesatarja e botës. Për këdo që di aritmetikën dhe logjikon në mënyrë të drejtë, dihet se pensionet kanë një raport të drejtë me të ardhurat mesatare për frymë të popullsisë, ndaj del që, nëse vendi ynë nuk bën një rritje ekonomike spektakolare prej 70% çdo vit, gjë e pamundur edhe në botën e përrallave, nuk do jetë veçse një mufkë tjetër e lëshuar nga salla, të cilën e paguajmë të na miradministrojë, begatojë, ruajë shëndetin e jetën, dhe mbi të gjitha të na thotë të vërtetën.
Shqipëria është në një krizë ekonomike të pashoqe që prej 5 vjetësh, pasi qeverisja e saj, jo vetëm që nuk është koshiente për situatën në të cilën ndodhet vendi, por po shfaq shenja papërgjegjshmërie, duke marrë për të vërtetë realitetin virtual që krijon nëpërmjet deklaratave të saj.
Nëse kriza botërore i dha simptomat e saj që në 2003-in dhe shpërtheu në 2008-ën, në Shqipëri kjo krizë filloi t’i japë shenjat e saj në 2005-ën, dhe tregues ishin frenimi i çmimeve të ndërtimeve, si industria më e madhe e vendit, në një nivel që është i njëjti edhe sot, dhe pagesa mall me mall që ky sektor iu bënte sektorëve ndihmës të saj, simptomë që tregonte mungesën e parasë në treg dhe rënien e shpejtësisë së qarkullimit të saj në njësinë e kohës.
Megjithëse një ekonomi ku në 40% të saj mbizotëron informaliteti, ku sektori bankar ka peshën që zë në një ekonomi të botës së tretë, dhe deficiti tregtar e afron me një shtet afrikan, ekonomia shqiptare mund të nxirrte mësime nga recetat perëndimore. Në periudhën e kulmit të krizës, qeveritë perëndimore, në takimin e Londrës së G20 të vitit 2008, planifikuan si strategji të daljes nga kriza tri pista: 1- Eliminimin e aseteve toksike, thënë shqip, blerjen nga ana e shtetit të aksioneve dhe aktiviteteve bankare të sëmura dhe jo fitimprurëse. 2- Uljen e normave të interesit të bankave për të rritur kreditimin e ekonomisë; dhe 3- Rritjen e investimeve në sektorë strategjikë, që do sillte rritjen e punësimit, e rrjedhimisht rritjen e konsumit.
Lidhur me pikën e parë, mund të thuhet se sektori bankar tek ne nuk ishte i rrezikuar pasi përveçse zë një peshë shumë të vogël në ekonominë kombëtare, hipotekat që kërkon për dhënien e kredive mbulojnë kreditë e dhëna në masën 150%, dhe normat e larta të interesit, mbulojnë edhe humbje deri në 10% të kredive të dhëna. Por sektori i ndërtimit, si konsumatori kryesor i kredive, ishte zhytur në borxhe pranë bankave, dhe në momentet kur tregut i ishin ofruar pallate më shumë se sa kishte kapacitete thithëse, rezultoi se një pjesë e pasurisë kombëtare u bllokua në tulla e beton. Në këto kushte, ndërtuesit po hyjnë thellë e më thellë në borxhe vetëm për të paguar interesat, pasi një faliment dhe shitje e objekteve të vlerësuara minimalisht nga bankat kredidhënëse do shkaktonte një hekatombë financiare jo vetëm për ta, por edhe për ekonominë kombëtare. Po ashtu janë bllokuar edhe sektorë që kanë lidhje me ndërtimin, si ai i tregtimit të pajisjeve shtëpiake apo arredimit.
Në këto kushte, asetet toksike për shtetin shqiptar janë pallatet e pashitura, dhe duhej pikërisht këtu ndërhyrja, nëpërmjet një strategjie që krahas blerjes nga ana e tij të këtyre apartamenteve, me synim dhënien në përdorim të pastrehëve që nuk kanë mundësi strehimi, ashtu edhe disiplinimit dhe planifikim të dhënies së lejeve të ndërtimit, veprim më se i nevojshëm në të ardhmen, që ky sektor mos jetë më një këmbë gjigante në një trup liliput. Asnjë nga këto veprime nuk është bërë deri më sot.
Në lidhje me pistën e dytë për uljen e normave të interesit të kredive, çdokush që ka provuar të marrë kredi në bankat që operojnë në Shqipëri dhe ka pasur mundësi të informohet për simotrat e tyre në perëndim, e di se të ardhurat nga “spread”, ose thënë shqip, qari i bankave shqiptare nga kreditë, është 50% më i lartë se i atyre perëndimore. Gjithashtu, nëse një bankë shqiptare të jep kredi deri në 70% të vlerës së objektit, i cili objekt është vlerësuar nga ajo vetë me çmimet minimale të tregut, në perëndim financohen deri 95% e vlerës së objektit, i cili vlerësohet nga një palë e tretë që janë shoqëri imobiliare të specializuara. Këto të dhëna dëshmojnë se vërtet sektori bankar nuk është në krizë, por këtë krizë ai e ka transferuar në sektorin e ndërtimit, dhe mosndërhyrja për një lehtësim të normës së interesit të borxhit të ndërtuesve shqiptarë ndaj bankave, nëse nuk do t’i falimentojë këta të fundit, do t’i skllavërojë dhe ulë fuqitë operative për vite, në mos dekada të tëra.
Dhe së fundmi, lidhur me investimet afatgjata dhe në sektorë strategjikë, me synim nxjerrjen e vendit nga kriza, në kushtet e ekonomisë shqiptare do të përkthehej investim në agrobiznes, turizëm, si dhe investime të kujdesshme, por tashmë të domosdoshme për ta bërë tregun shqiptar jo vetëm eksportues krahu pune të pakualifikuar në perëndim, por edhe prodhues të punëtorëve të kualifikuar dhe subvencionimin e qendrave kërkimore dhe përmirësimit të arsimit të lartë.
Në të kundërtën, tek ne, gjithë sasia e parave u hodh në rrugën faraonike Durrës-Kukës-Morinë, një vepër e nevojshme për afrimin fizik të dy pjesëve të kombit, por që mund ta kryente funksionin e saj edhe në përmasa më modeste.
Nga pikëpamja ekonomike, duke qenë se lidh dy tregje me strukturë të njëjtë prodhimi, dhe pa traditë shkëmbimi me njëri-tjetrin, do dojë shumë kohë të shlyejë veten, ndërsa efekti i punësimit është gati zero, ndërkohë që fitimi i firmës që bëri punimet ka fluturuar jashtë kufijve dhe nuk është riinvestuar në Shqipëri. Shto edhe një papunësi të deklaruar 13%, por realisht afër 20%; sa më sipër janë vetëm disa tregues makroekonomikë, se kriza këtu është ulur këmbëkryq. Ndërsa mosindeksimi prej pesë vitesh i inflacionit në pagat dhe pensionet e njerëzve, zhvlerësimi real i lekut përballë çmimeve në rritje, si dhe shumë tregues të tjerë, janë leksione që mund t’i japë çdo pensionist, të cilit të ardhurat nuk i mjaftojnë as për ilaçe.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›