Ekonomia e Greqisë dhe e ardhmja e eurozonës

Që nga gadishulli Skandinav e deri në brigjet e Mesdheut, është përhapur shqetësimi për të ardhmen e monedhës euro dhe të vetë Bashkimit Europian. BE-ja është tronditur nga kriza greke, por udhëheqësit e saj këmbëngulin se Unioni dhe monedha e tij do të mbijetojnë. Por, rreziku më i madh për Europën duket se është jashtë kufijve të Greqisë, shkruajnë mediat e huaja, sipas së cilave, në sheshin qendror të Athinës, ka ende disa qindra protestues të revoltuar. Pavarësisht nga protestat, parlamenti miratoi shkurtime në shpenzime në masën 40 miliardë dollarë, siç kërkonte plani i ndihmave nga BE dhe FMN. Por grekët vazhdojnë kundërshtimet e tyre ndërsa thonë se këto masa shkatërrojnë të drejtat e punëtorëve, shkatërrojnë jetën e tyre dhe thjesht përmbushin kërkesën e Bashkimit Evropian dhe FMN-së. Në Athinë dhe në të gjithë Evropën ka spekulime se Evropa do të ecte më mirë nëse Greqia do të shkëputej nga zona e euros dhe nga vetë Bashkimi Evropian. Politikanët që e kundërshtuan planin për ndihmë ndaj Greqisë, dhe që kanë qenë përgjithësisht kundër integrimit europian, kanë ngritur zërin kohët e fundit. Ata zhvilluan një ceremoni funebre simbolike për euron, para Këshillit Evropian në Bruksel. Por rreziku do të jetë i madh nëse kriza e borxhit shtrihet përtej Greqisë. Spanja është ekonomia numër katër në euro-zonë, por tani vuan nën peshën e papunësisë në masën 20 për qind, dhe të borxheve masive. Megjithëse diskutohet mundësia që disa vende ekzistuese të shkëputen nga organizata, Unioni mirëpriti ditët e fundit Kroacinë si anëtaren e tij të ardhshme. Analistët thonë se me gjithë krizën e euros, mundësitë që hap anëtarësimi në Bashkimin Evropian, janë shumë më të mëdha se rreziqet që ndeshin shumë vende jashtë kufijve të tij.