E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia elektorale

Ervin Bushati 

“Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç atyre të tjerave që njerëzimi ka provuar herë pas here”, ka thënë Winston Churchill. Pavarësisht mangësive të shumta që mbart demokracia, tregu politik ka një monedhë perfekte: Votën. Një forcë politike duhet të ketë ofertën e duhur që të shkëmbehet me kërkesën e elektoratit për një jetë më të mirë. Ky shkëmbim demokratik materializon legjitimitetin e çdo partie politike për të qeverisur një vend. Ka disa arsye bindëse se pse demokracia është forma më efikase e qeverisjes dhe pse ajo funksionon. Gjithashtu ka dhe disa argumente pse ajo është bindëse dhe si zgjedhje ekonomike, për njerëzit që jetojnë në një shoqëri të organizuar si një komunitet. Demokracia nuk justifikohet vetëm në bazën morale se pushteti i qeverisë vjen nga mbështetja e qytetarëve. Ka arsye të forta se pse ajo duhet të sjellë një qeverisje ekonomike më të mirë dhe të promovojë zhvillim. Në koncept, parim i përgjegjësisë ndaj elektoratit duhet të nxisë qeverinë të funksionojë në interes të shumicës dhe jo në interes të një elite të caktuar. Teknologjia institucionale që bën demokracinë funksionale janë zgjedhjet. Akademia e Oxford-it ka studiuar 786 zgjedhje nga 155 vende të botës në këto 30 vitet e fundit. Studimi arrin në përfundimin se zgjedhjet e manipuluara të mbajnë në pushtet mesatarisht për 16 vjet, në kontrast me vendet e zhvilluara ku zgjedhjet e ndershme lënë mesatarisht 6 vjet në pushtet partinë në fuqi. Zgjedhjet e pista deformojnë demokracinë dhe ekonominë e një vendi, sepse shmangin zhvillimin normal të tregut politik, duke shtrembëruar motivimin e politikaneve. Një pushtet që fitohet me manipulim nuk lodhet e as nuk sheh arsye për të rritur performancën ekonomike të vendit, kur mund të fitojë në kuti. Studimi i Oxford-it fakton se në vende ku kryhen zgjedhje të pastra qeveria rri në pushtet 4.4 vjet kur rritja ekonomike është zero dhe 7.1 vite kur rritja ekonomike është 5% në vit. Kjo do të thotë se nëse kryeministri rrit ekonominë, ai mund të rrisë qeverisjen e tij me 2 vjet. Në rastet e zgjedhjeve të manipuluara, ndonëse një rritje zero e ul kohëzgjatjen në pushtet të së njëjtës qeveri, prapë të dhënat tani janë 14.5 vite dhe 17.2 vite. Kjo do të thotë se pse nuk duhet të lodhet autokrati! Një tjetër fakt interesant në studim është se autokratët në shumicën e rasteve vetëm vdekja i shkëput nga pushteti: 109 udhëheqës kanë vdekur mbi karrige në regjimet autokratike, ndërkohë vetëm 17 kryeministra në qeveri demokratike kanë vdekur në detyrë. Kujtesë shqiptare: “Vetëm Zoti më largon nga qeverisja”. Që tregu politik të funksionojë në të mirë të qytetarëve, duhet që cikli përmirësues i zgjedhjeve të jetë i pastër dhe funksional. Nëse qeveria nuk shkon në zgjedhje të pastra hedh poshtë prerogativën e demokracisë: përgjegjësinë para zgjedhësve. Nëse qeveria nuk mban përgjegjësi para zgjedhësve për punën e saj duke pritur një rezultat të pastër elektoral, atëherë nuk lë demokracinë që të kryejë rrjedhën e saj. Zgjedhje të ndershme inkurajojnë një votim me sens ekonomik dhe largojnë politikanët e korruptuar.
Procesi elektoral nuk kthen automatikisht vende në demokraci liberale. Shumë regjime autoritare kryejnë zgjedhje, duke toleruar pluralizmin dhe konkurrencën për të organizuar zgjedhje periodike. Për këtë arsye këto zgjedhje dizenjohen që të gjenerojnë disi legjitimitet demokratik, ashtu si përpiqen të adresojnë disa aktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Disa institucione bazë të demokracisë si gjykata të pavarura, media të shëndetshme, institucione të forta e bëjnë më të vështirë manipulimin e zgjedhjeve. Nuk është çudi pra, që këto janë dhe institucione më të anatemuara në Shqipëri, nga qeveritë njëra pas tjetrës. Një autokrat e mban fuqinë personale mbështetur nga një sekretariat që e shpërblen me patronazh. Zgjedhjet janë teknologjia me të cilën demokracia e shkatërron këtë sistem fuqie. Në një autokraci procesi elektoral manipulohet për të ruajtur pushtetin, pavarësisht nga zgjedhjet periodike që kalojnë. Strategjitë e manipulimit zgjedhor janë ekonomikisht më të vlefshme se gara e ndershme për atë që ruan fronin, pasi zgjasin 3 herë kohën që mund të rri në pushtet autokrati. Gjithashtu kjo sjellje e çliron pushtetin nga nevoja për të ndërmarrë reforma përmirësuese.
Disa mendojnë se një “demokraci e menaxhuar” është më mirë për disa vende që nuk kanë edukatën e duhur për të vendosur për veten e tyre, sikur votuesit të ishin fëmijë. Pavarësisht nga sa argumentuar më sipër sipas logjikës kudo në botë, duket se norma në Shqipëri nuk vjen nga Churchilli, por vjen nga e kaluara jonë e vështirë: “Mjafton që njerëzit të dinë se zgjedhjet u kryen. Njerëzit që hedhin votën nuk vendosin asgjë. Njerëzit që numërojnë votën, vendosin gjithçka” - Stalin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›