Studentët e Kamzës dalin nga greva
zirina llambro
Studentët e Universitetit Bujqësor dalin nga greva 8-ditore. Pas negociatave disa orëshe me Ministrinë e Arsimit, Rektorati më në fund ka pranuar kërkesat e tyre. Ka qenë shefja e kabinetit të ministrit, Edlira Lati, e cila u ka komunikuar vendimin e marrë dje rreth orës 19:00. Sipas tij, studentët do të mund të ndjekin ciklin e dytë të studimeve (DND), pavarësisht mesatares që kanë. “Nga bisedimet që kryem me përfaqësuesit e Rektoratit u ra dakord që Ministria e Arsimit të mbështesë më fonde për zgjerimin e ambienteve, shtim të stafit akademik, për të realizuar këtë cikël studimesh”, tha Lati. Komunikimi i vendimit të fundit u prit me jo pak gëzim nga vetë studentët, të cilët mes brohorimave të mbështetësve të tyre e mes lotësh lanë ambientet e fakultetit, pas ditëve jo pak të vështira. Që nga sot do të mund të nisin regjistrimet, për të cilat është lënë afat deri më 16 nëntor. Ndërkaq, nga sa bëri me dije Rektorati i Universitetit Bujqësor, me ministrinë është rënë dakord që kuotat e masterit për Fakultetin e Agrobiznesit dhe disa fakulteteve të tjera të transferohen në kuota të DND, në mënyrë që të balancohet nr i tyre sipas kërkesave të studentëve. Përfaqësuesit e Rektoratit kanë bërë me dije se për asnjë nga studentët grevistë dhe mbështetësit e tyre nuk do të merren masa gjatë vitit akademik. Në fakt qëndrimi i studentëve deri dje në drekë është përshkallëzuar jo pak. Në mbështetje të grevistëve, gjendja e të cilëve ishte rënduar, u bashkuan qindra të tjerë. Ata bllokuan hyrjen në Fakultetin e Agrobiznesit, duke mos lejuar zhvillimin e mësimit dhe askënd të futet brenda. Ndërkaq një tjetër pjesëmarrës në grevë u transportua me urgjencë në spital në gjendje të fikti. “Molla e sherrit” mes Fakultetit dhe studentëve u bë miratimi i kuotave të ulëta për ndjekjen e Masterit të Nivelit të Dytë. Një pjesë e mirë e studentëve u lanë jashtë, me pretendimin se nuk përmbushin kriterin e mesatares. Por ata ngritën si pretendim se vendosja e mesatares si kriter pranimi është e padrejtë, pasi për këtë njoftohemi në vitin e fundit të 3-vjeçarit. Përpara hyrjes në grevë, studentët kanë zhvilluar një sërë protestash para institucioneve si Ministria e Arsimit, Kryeministrisë dhe Universiteti, por pa asnjë rezultat. U desh që ata të qëndronin 8 ditë në grevë dhe gjendja të rëndohej deri në transportimin e tyre në spital që të merrnin një zgjidhje. Vetë studentët e kanë përshëndetur vendimin e marrë. Sipas tyre, kërkesa ishte krejtësisht legjitime dhe nuk kishte asnjë arsye pse të arrihej deri në grevë. “Ne protestuam, u kërkuam një zgjidhje, më në fund e morëm dhe kjo është më e rëndësishmja. Por nuk kishte pse të arrihej deri këtu dhe të mbahej një qëndrim i tillë nga Rektorati. Gjithsesi ne e morëm atë që donim”, u shprehën përfaqësuesit e studentëve. Viti i ri akademik ka nisur me protesta të njëpasnjëshme. Vetëm disa javë më parë studentët e Vlorës bllokuan fakultetin, pasi Rektorati kishte vendosur si kusht mesataren për t’u regjistruar, pavarësisht se ishin shpallur fitues në degë të caktuara. Pas një sërë negociatash dhe mbështetjes nga Ministria e Arsimit, më në fund gjithçka u zgjidh në favor të protestuesve.
“Berisha shpërfilli studentë
t”Ndërsa gjendja e studentëve grevistë dje gjatë paradites ishte jo pak e rëndë, në mbështetje të tyre doli edhe Partia Socialiste... Deputetja Ledi Shamku në një konferencë për shtyp akuzoi kreun e qeverisë për indiferencën e treguar ndaj studentëve, të cilët prej 8 ditësh ishin në grevë urie. “Apeli i opozitës politike e qytetare sot për Sali Berishën është i qartë dhe i thjeshtë: Në Universitetin Bujqësor sot gjendja është e rëndë. Sepse janë në gjendje shumë të rëndë disa vajza e djem që nuk quhen, as Argita e as Shkëlzen. Që nuk kanë baba Sali Berishën dhe nuk janë fëmijë të oborrit të tij familjar. Por kjo nuk është kurrsesi një arsye që ata të dergjen, të sëmuren apo mos e dhëntë zoti të vdesin në një greve urie, që është turpi i këtij pushteti dhe personalisht i Sali Berishës”, tha Shamku. Sipas saj, ky qëndrim është i turpshëm.