E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku që vjen nga Mediakracia

Mentor Beqa 

Demokracitë e avancuara krijojnë një sërë instrumentesh të balancimit dhe kontrollit për të ruajtur ndërvarësinë e pushteteve të ndryshme për të siguruar lirinë e qytetarëve vis-à-vis ndaj tendencave centralizuese të shtetit. Tre pushtetet moderne (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), fuqia premoderne, burokracia, (në veçanti administrata publike) dhe pushteti postmodern, media, janë të gjitha të kontrolluara nëpërmjet një ekuilibri delikat.
Asnjëri prej këtyre pushteteve supozohet që të mos ketë dominancë të kontrollojë, zëvendësojë apo nënshtrojë pushtetin tjetër. Që kështu nuk ka hierarki pushtetesh në një demokraci të pjekur. Post-modernët mund t’i japin përparësi medias e po kështu pre-modernistët mund të bëjnë të njëjtën gjë me burokracinë. Udhëheqja e parë të çon në anarki, shtet populist ose “media-cracy” referuar atyre që zotërojnë mediat, e dyta tek meritokracia (ose thënë ndryshe tek elitokracia burokratike) dhe në të dyja rastet përfundojmë në diktaturë. Asnjëra prej tyre nuk është demokratike.
Të gjithë këto pushtete, megjithëse në forma të ndryshme nga njëri-tjetri marrin sovranitet nga populli, legjitimiteti i tyre buron nga qytetarët. Një legjislativ që nuk merr mbështetje të mjaftueshme në zgjedhje apo që humbet mbështetjen nuk mund të funksionojë dhe pikërisht ky mosfunksionim u jep ftesë pushteteve të tjera të ndërhyjnë. Nëse ekzekutivi humb legjitimitetin në sytë e qytetarëve apo ka humbur mundësinë për të qeverisur, të tjerët e shpërndajnë. Nëse sistemi gjyqësor humbet besueshmërinë dhe prestigjin në sytë e qytetarëve, disa i referohen mekanizmit të vjetër për të pezulluar korpusin e të drejtave deri në zgjidhjen e problemit, ndërsa disa të tjerë i mëshojnë zgjidhjeve administrative brenda sistemit, por nuk mund të shmanget ndërhyrja e legjislativit për të normuar reformimin e sistemit.  Pra “check and balance” ndërmjet tre pushteteve klasike funksionon nëpërmjet një sistemi delikat vetërregullimi, ku roli i ligjit është suprem dhe çdo shmangie krijon pështjellime të pakthyeshme.
Le të kthehemi në situata më konkrete. 
Çfarë ndodh me mass median, e cila është në një përpjekje të vazhdueshme për të dominuar sferën publike dhe për të diktuar axhendën politike, nëse nuk funksionon vetërregullimi në kuadër të ligjit? Ka dy mundësi. Ose media fillon të diktojë politikën dhe qeverinë dhe ekziston rreziku i kalimit nga demokracia në mediakraci, ose qeveria përdor mjetet e saj për të ndërhyrë në rregullimin e mënyrës së funksionimit të medias, duke rrezikuar sërish të shkelim arbitrarisht lirinë e shprehjes. Që të dyja këto tendenca janë të rrezikshme. Shqipëria deri dje ka vuajtur nga nëpërkëmbja e lirisë së të shprehurit, ndërsa sot ka filluar të krijohet tendenca e tërheqjes së qeverisë nën diktatin e atij që quhet “vox populi”, i cili nuk mund të përcillet nga tjetërkush përpos se nga media. Mediakracia është definuar nga teoricienët si një qeverisje e përdorur në mënyrë indirekte nga media populiste. Një sistem, në të cilin politikanët ndalojnë së menduari vetë, dhe dëgjojnë ekskluzivisht çështjet që ngrenë mediat dhe atë se çfarë duhet bërë me këto çështje. Në momentin që media është në dorë të biznesmenëve të fuqishëm, (çka është e pashmangshme) atëherë mediakracia është formë qeverisjeje ku fuqia supreme është në dorë të këtyre bizneseve, të cilët e përdorin fuqinë vetë ose nëpërmjet “agjentëve” të tyre të zgjedhur. Zëri i shumicës, i cili supozohet se udhëheq në përgjithësi maxhorancat politike populiste, mund të jetë identik me zërin e bizneseve të mëdha, ku pushteti ekonomik, politik dhe ai mediatik gërshetohen në një të vetëm. Ne jetojmë në një kohë kur media, në të shumtën e rasteve, punon në shërbim të interesave private dhe e mbush hapësirën publike me histori virtuale, të cilat shpesh kanë vetëm një qëllim, manipulimin e opinionit publik dhe transformimin e shoqërisë civile në një masë të pastrukturuar dhe pa gjykim individual mbi çështjet. Kjo argumentohet më së miri me fabulën e improvizuar të shitjes së ujërave territorialë, ndërtimin e një perceptimi kinse liria e shprehjes është nën rrezik dhe shumë e shumë invencione të tjera mediatike, të cilat i imponohen opinionit publik si të vërteta të pakontestueshme.
Media tejkalon rolin e saj ndërmjetësues, transmetues apo përcjellës, midis opinionit publik dhe politikës, duke i njohur vetvetes në mënyrë të pamerituar të drejtën e përfaqësimit të interesit publik apo ekskluzivitetin e burimit të informacionit në shoqëri. Axhenda politike fillon e diktohet nga një “vox populi” anonim, i cili transmetohet tek ne nëpërmjet medias, duke na përfshirë në një rreth vicioz, ku shumica e medias është e angazhuar për të përcaktuar axhendën e politikës, në promovimin e disa pikëpamjeve dhe në shmangien e disa të tjerave. Kjo bëhet duke iu referuar dëshirave të supozuara të publikut, duke ndryshuar e përcaktuar trendin e opinionit publik. Diskursi racional zëvendësohet nga koncepti i popullit, apo i shumëpërmenduri interes publik, zëri i të cilit përfaqësohet nga media, e cila në të shumtën e rasteve u shërben interesave private të pronarëve, të cilët në këtë formë diktojnë mbi politikën, axhendën e tyre ekonomike. Kjo krijon një biçim sistemi të ngjashëm me oligarkinë, ku vendimmarrja diktohet nga një grusht biznesmenësh që zotërojnë opinionin publik nëpërmjet medias.    
Alexis de Tocqueville thoshte në shekullin e 19-të se tirania e shumicës ishte rrezik për demokracinë. Kjo tirani prodhon diktat mbi liritë dhe të drejtat individuale, por edhe minon parimet e vërteta të demokracisë për shkak të ndjekjes verbërisht të vullnetit të shumicës, ose të të ashtuquajturit popull, i cili mbetet një term abstrakt dhe i papërcaktuar, për aq kohë sa nuk i nënshtrohet votës. Kjo ishte arsyeja përse Tocqueville tha se bazamenti kryesor i një demokracie është roli i ligjit, i mbrojtur nga liberalizmi kushtetues. Me fjalë të tjera drejtimi nga ligji është po aq i rëndësishëm sa drejtimi nga populli. Aq më keq kur populli interpretohet si interesi publik, i cili përfaqësohet kinse nga media, e cila në vetvete nuk mund të jetë e lirë nga interesat ekonomike të operatorëve privatë. Prandaj, politika në tërësi dhe qeveria në veçanti nuk duhet dhe nuk mund të qëndrojnë peng i axhendës që prodhohet nga media. Kjo është e vetmja formë që media të ndjehet e lirë nga qeveria dhe qeveria të ndjehet po ashtu e lirë nga media.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›