Ekonomia europiane dhe sovranitetet kombëtare
Sytë e Europës dhe ndoshta jo vetëm ato të kontinentit të vjetër janë drejtuar nga Greqia. Priten me ankth zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vendin fqinj më datë 17 qershor. Edhe Ed Parker, drejtor i agjencisë “Fitch” është i shqetësuar për pasojat dhe rreziqet që mund të sjellë Greqia. Sepse sipas tij edhe vende si Luksemburgu, Holanda, Finlanda dhe Gjermania janë gjithashtu në rrezik. Si mos të mjaftonte kjo, tashmë është pothuajse zyrtare: Qipro është vendi i pestë i zonës euro që kërkon mbështetje pas Greqisë, Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës. Mund të thuhet se Qipro është vendi i parë që e ndien direkt krizën greke sepse sistemi bankar i ishullit të Qipros është shumë i ndërvarur nga ekonomia greke dhe ka patur humbje të mëdha sidomos pas ristrukturimit të borxhit grek. Sidoqoftë nuk ka ende një kërkesë zyrtare të Qipros dhe të njëjtën gjë kanë konfirmuar edhe burimet nga Komisioni europian. Gjithsesi në rast të një kërkesë mund të llogaritej se ndihma për Qipron do të arrinte në rreth 3 - 4 miliardë euro. Ekonomia e Qipros, me një popullsi të vogël është sa një e gjashta e asaj spanjolle. A jemi afër një efekti domino në Europë? Sepse sipas të gjitha gjasave qeveria qipriote mund të kërkojë fonde në formën e huasë, ashtu siç ka bërë edhe Spanja që u ndihmua më së shumti për bankat e saj. Një ndër këto banka është edhe Banka Popullore e Qipros e cila ka patur humbje që shkojnë rreth 2 miliardë euro për shkak të ristrukturimit të borxhit grek. Meqënëse privatët nuk do të marrin pjesë në këtë operacion shteti qipriot mund të ketë një debi prej 1,8 miliardësh. Ndërkaq Qipro po shikon edhe mundësinë e një huaje nga Rusia apo edhe Kina. Vitin e kaluar Qipro arriti të merrte 2,5 miliardë euro hua nga Rusia. Një ekonomi në krizë, mund të përcaktohet, po të merret parasysh fakti se në dy trimestret e fundit të viti 2011, Gdp e Qipros ka qenë jo shumë pozitive. Ndërkaq Komisari i Bashkimit Europian për Çështjet Monetare, Olli Rehn ka deklaruar se aktualisht nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Qipro për ndihma. Po kjo deklaratë edhe pse përjashton aktualisht efektin domino në Europë tregon se situata europiane ndryshon ditë pas dite. Natyrisht pritet që në takimin europian të bëhet diçka konkrete sidomos nga Gjermania. Në një citim të ish-kancelarit gjerman Helmut Shmid theksohej se Gjermania po fillon të humbasë sensin e historisë, të rilindjes euopiane dhe të solidaritetit me partnerët. Tashmë partnerët janë në vështirësi duke filluar nga Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Italia. Ndoshta vetë Gjermania dhe sidomos kancelarja Merkel duhet që t’i japin një mesazh të qartë tregjeve, një mesazh që do të thoshte se Europa ekziston. Europa kërkon që integrimi politik të ecë përpara. Ndoshta duke dhënë garanci për depozitat bankare europiane, duke patur një akses të drejtpërdrejtë në fondin e shpëtimit dhe ndoshta duke unifikuar edhe debinë europiane. Por ndoshta gjithçka nuk është kaq e thjeshtë. Duhet që çdo vend të humbasë sovranitetin kombëtar për hir të sovranitetit europian. Ndoshta është pikërisht kjo që i duhet Europës dhe ndoshta edhe vetë Gjermanisë e cila nga ana tjetër i drejton 60% të eksporteve të saj në Europë. Edhe Banka Qendrore europiane si asnjëherë tjetër po injekton likuiditete por ndoshta e vetme nuk mund të arrijë të bëjë gjëra të mëdha. Pjesa më antike e shoqërisë ekonomike të globit ka një borxh publik që arrin në eurozonë në 90% të Gdp. Për të arritur progres duhet një bashkim politik i saj në mënyrë që mos të mbrohet herë një vend dhe herë një tjetër duke fituar kohë pa një zgjidhje përfundimtare të problemeve europiane. Vetë kancellarja gjermane Angela Merkel në një kongres të partisë ka theksuar se duhet më shumë Europë dhe se duhet që të jemi të gatshëm që të lëshojmë diçka nga sovraniteti kombëtar. Sipas Merkel nuk duhen fonde të reja ndihme por duhet që shtetet të vazhdojnë me rrugët e reformave që tashmë kanë filluar. “Do të ishte fatale që reformat të mbeteshin në mes të rrugës. Nëse ekonomia gjermane është në një situatë shumë të mirë do të thotë se ka mbaruar të gjitha reformat e saj” - do të theksonte më tej kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërsa mbi rrugët e mundshme për daljen nga kriza Merkel në përfundim ka shtuar se: “Nëse do të bashkoheshin humbjet duhet që në të njëjtën kohë të bashkohen edhe mekanizmat e kontrollit”.