Sugjestioni antropologjik i kreut të opozitës
Edi Rama ka një veti të veçantë politike. Ai përdor teknika sugjestive për të manipuluar realitetin faktik. E fundit është importimi i modelit amerikan të konventave partiake të ashtuquajtura “primare” për të përligjur përzgjedhjen e kreut të ri të FRESSH, forumit rinor eurosocialist. Sigurisht, këto modele të përzgjedhjeve meritokratike janë efektive në demokraci të përparuara siç është ajo amerikane, por jo në demokraci të brishta siç është e jona, ku partitë janë veçse reflektim kaleidoskopik i karakterit të liderit. Jo vetëm ne, por edhe në Italinë fqinje, implementimi i “primareve” nga e majta doli të ishte një sugjestion demokratik. Primaret mund jenë një manipulim grotesk. Kjo u pa qartë në përdorimin e parë të “primareve” brenda së majtës italiane për të përzgjedhur kandidatin për kryeministër që do të nxirrte opozita, ku kandidonin Romano Prodi kundër kreut të Partisë komuniste, Fausto Bertinoti. Ky i fundit përgjatë të gjithë fushatës së brendshme nuk la vend pa thënë se ishte që Romano Prodi të ishte kryeministër i Italisë. E gjitha kjo doli të ishte një tallje ndaj “popullit opozitar” që votonte një legjitimim fals pa zgjedhur midis alternativave të vërteta.
Megjithatë risia metodike ishte e këtillë, saqë miliona veta shkuan me dëshirë për të zgjedhur një lider në një ndeshje të manipuluar, ku u zgjodh Romano Prodi kundër Silvio Berluskonit. E njëjta gjë ndodhi muajin e fundit ku sekretari i Ramës, Erjon Veliaj dhe shtojca e tij Elisa Spiropali, organizuan mitingje rinore në çdo rreth të vendit për të përligjur frymën radikale të 99-shave që zaptuan një forum të lartë të Partisë Socialiste. Dhe këtu risia metodike manipuloi qindra të rinj që erdhën dje në Tiranë me shpresën për të zgjedhur një kryetar forumi. Por prapë fitoi Elisa Spiropali, de-fakto e komanduara e Ramës, e cila do të jetë dhe de-jure kryetare e FRESSH. Por këta rioshë me pikëpamje majtiste janë veçse të fundit në listën e keqpërdorimeve politike të Edi Ramës. Fjalimin në hapje të garës së djeshme për zgjedhjen e FRESSH, Edi Rama ia kushtoi kryesisht komentit të zgjedhjes së presidentit një ditë më parë. Fjalët janë të tepërta, ngase nuk shtoi asgjë më shumë nga çka kishte deklaruar më parë për këtë proces.
Sakaq teknikë e mëparshme sugjestive për të manipuluar realitetin ka qenë padyshim përdorimi i parimit demokratik: “një anëtar - një votë”, përndryshe parimi i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku në themel qëndron rëndësia e anëtarit të partisë. Por cilido mund të mbajë mend keqpërdorimin prej Ramës, të këtij parimi në “një pallat - një votë”, për lejet e ndërtimit në Bashkinë Tiranë. Por jo vetëm. Zgjedhja e kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës shfaqi një proces farsë ku dihej se do të fitonte Sajmir Tahiri, megjithëse Edi Rama, futi në garë Ilir Zelën për të legjitimuar beniaminin e tij. Në këtë rast roli qesharak i takoi Ilir Zelës, që u bë si Maqo Lakrori në rastin e rizgjedhjes së dytë të Ramës në krye të PS, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009.
Gjithashtu qëndrimi i dyzuar për zgjedhjen e presidentit të Republikës dëshmoi pafuqinë intelektuale për të pasur një pozicion të vendosur: çfarë pranon dhe çfarë nuk pranon, ku ishte dakord me ndërkombëtarët dhe ku nuk ishte. Kjo u pa me frikën për të folur, me pavendosmërinë për t’u përballur, me të njëjtën dëshirë për të mos qenë transparent. Me të njëjtin besim të verbër se suksesi arrihet përmes kulisave dhe jo përmes shkëmbimit të hapur të ideve.
Sidoqoftë, Rama ka edhe një veti të pandryshuar gjithë këto vite. Në vetvete është një shpirt sipërmarrës dhe po të kishte koherencë plus konsistencë, do kishte pasur sukses. Fatkeqësisht Rama i nis mirë por i bitis keq të gjitha punët. Vuan nga inkoherenca e qëndrimeve që shpesh duket se është një aneks emocional i kompleksit seksual “eiaculatio precox”, domethënë dëshira për të ardhur më para se qejfi. Madje kohët e fundit flet edhe si kryeministër i ardhshëm, pa u bërë zgjedhjet parlamentare. Kurba politike e Ramës po bie për faktin e thjeshtë se ai është rrethuar dhe këshillohet jo nga socialistë, por nga anti-socialistë, individë që në të shkuarën kanë qenë thellësisht kundra Partisë Socialiste. Një emër? Erion Veliaj.